Republikanët ashpërsojnë tonet

Republikanët kërcënuan se, në rast se nuk do të bëhen ndryshimet e kërkuara nga ana e tyre në ligjin e legalizimeve, atëherë ata do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese çështjen, në mënyrë që të marrin zgjidhjen përfundimtare. Kjo është bërë e ditur ditën e djeshme nga kryetari i grupit parlamentar republikan, Arian Madhi, i cili tha se republikanët janë të vendosur në qëndrimin e tyre për këtë çështje. “Ne do të jemi konsekuentë në qëndrimin tonë se, nëse nuk do të reflektohet mbi çështjet që lidhen me parimet dhe me standardet kushtetuese, sigurisht rrugët tona janë të hapura dhe do t’i drejtohemi më tej Gjykatës Kushtetuese, e cila le të shprehet përfundimisht mbi pretendimet tona”, ka deklaruar Madhi. Kjo deklaratë e kreut të grupit parlamentar republikan vjen pak ditë pasi presidenti Bamir Topi riktheu për shqyrtim në Parlament ligjin për legalizimet, ndërsa bëri publikë edhe arsyet se pse nuk e dekretoi një ligj të tillë. Ndërkohë, Madhi thotë se, në rast se mazhoranca ka vullnet për të bërë ndryshimet në përputhje me ligjin që është në fuqi, atëherë republikanët nuk do të ketë kundërshtime apo rezerva. “Ligji në fuqi ka parashikuar afate dhe procedura, dhe ne kërkojmë pikërisht të rikthehet koncepti, ose të lihet në fuqi ligji bazë, i cili kishte aftin e procedurave”, përfundoi republikani Madhi. Partia Republikane e ka kundërshtuar ligjin e legalizimeve, me motivin se ky ligj nuk përcakton drejt rolin dhe rimbursimin e pronarëve të ligjshëm.