E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po shit-blejmë gjithçka

Dy dekada më parë, pranuam pa kushte ekonominë e tregut, si model ekonomik dhe instrument i realizimit të lirisë ekonomike të individit. Sot, entuziazmi ynë ka rënë. Madje, tek njerëzit ka shumë skepticizëm, mungesë shprese dhe pesimizëm.


Një pjesë e madhe e popullsisë jeton në skamje, madje në mjerim. Ky realitet ka filluar kohët e fundit të pranohet hapur. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes.
Tani ka ca realitete që tregojnë se modeli shqiptar i "ekonomisë së tregut" ka sjellë deformime të strukturës sociale të shoqërisë.


Nuk është fjala vetëm për ata që jetojnë në varfëri, por për një të keqe tjetër të madhe: Shoqëria shqiptare është si asnjëherë përballë një procesi të zaptimit të dhunshëm të territoreve, neglizhimit të disa veprimtarive dhe shërbesave sociale të dobishme, me natyrë humane, sociale. Ndodhemi para një procesi të "marketizimit" të gjithçkaje.


Shëndetësia, arsimi, kultura, arti, shërbimet sociale dhe shumë veprimtari njerëzore janë tashmë në prangat e këtij marketizimi brutal.
Në një shoqëri humane ka fusha që nuk duhet të merkantilizohen në këtë farë feje.


Kjo ka ndodhur, sepse në Shqipëri qeveritë i kanë lënë gjërat "të zgjidhen vetë". Dhe ne, përfshirë qeverinë, duhet të jemi të sinqertë se tani në vendin tonë ka marrë përmasa të frikshme procesi i deformuar i "marketizimit" të gjithë jetës shoqërore. "Idolatrizimi" pa limit i forcës çudibërëse të "tregut" pa rregulla e moral, u përhap me shpejtësi, ngaqë politika jonë, e paaftë për kontroll dhe administrim të shoqërisë, u dorëzua pa kushte.


Zgjerimi i lirisë së individit nga shteti dhe politika, është proces demokratik. Por modeli ynë i këtyre viteve, për shkak të natyrës eksentrike, ka marrë deformime dhe përçudnime që favorizojnë njeriun e lidhur me politikën, por që nënvleftëson të gjithë veprimtaritë e tjera, që jo domosdoshmërisht janë të lidhura me tregun, që qëndrojnë në periferi të saj, ose që janë të lidhura në mënyrë të tërthortë me të.


Ky model pa model, ky defekt ontologjik, ka patur pasoja sociale evidente, që kanë ndikim të fortë në natyrën e stratifikimit dhe polarizimit të shoqërisë shqiptare. Ka zhvillim shumë disprorcional të shoqërisë, ka shqetësim masiv për një zhbalancim të sferave të tjera të shoqërisë në favor të idesë së superioritetit absolut të tipit hajdut ose të tipit të dhunshëm, që me "dorën e fshehtë" zgjidhka gjithçka dhe gjithmonë.


E gjithë shoqëria, të gjithë sferat e saj tashmë duket se nuk kanë asnjë autonomi përballë treg-politikës, e cila është bërë masë universale e vlerësimit të çdo aktiviteti, i çfarëdo natyre qoftë. Në shoqërinë shqiptare, përballë omnipotencës së treg-politikës, kanë kapitulluar të gjithë sferat dhe veprimtaritë e tjera që nuk janë të lidhura direkt dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë me ingranazhet e marketingut të saj.


Ndaj, ekonomistët, sociologët dhe politologët janë përballë sfidës së ridimensionimit të entuziazmit të dikurshëm. Nuk mund të jesh indiferent dhe të duartrokasësh ekspansionin e këtij modeli antisocial, që na ka sjellë katastrofa të dukshme.


Kush do përgjigjet për situatën sociale të mijëra familjeve të varfra, për mijëra njerëz të papunë, për fëmijë që rriten keq, ose që mbeten jetimë, për të moshuarit që kanë pensione minimale ose që për shkaqe sociale të natyrshme braktisen dhe mbeten të vetmuar? Kush, sepse siç po duket, ekonomia "tejliberale" e treg-politikës shqiptare, nuk do t'ia dijë fare për ta.


Jemi dakord me faktin pozitiv, që ekonomia e tregut ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin dhe zgjerimin e ekonomisë. Por ndërkaq ajo ka ndikuar në ndryshimin e strukturës dhe marrëdhënieve sociale të shoqërisë shqiptare, sepse po e "atomizon" shoqërinë dhe marrëdhëniet njerëzore.


Mirë ata pak "të integruar" në analet e begata të "ekonomisë" allashqiptare që e kanë jetën të siguruar, por kush do kujdeset për masat e njerëzve që mbeten të dobët, të margjinalizuar dhe të paintegruar?


Sistemi i mbrojtjes komunitare në Shqipëri, për shkaqe sociale, politike dhe ekonomike, është fare i dobët, madje i papërfillshëm. Institucionet e dikurshme të centralizuara u decentralizuan. Institucionet e reja komunitare janë ende të brishta.


Natyrisht, në një ekonomi tregu nuk është shteti që kontrollon, por është ai që vendos rregullat e lojës dhe që duhet të bëjë llogari, jo vetëm për "nxitjen e biznesit", por edhe për mjedisin, jetën publike të njerëzve dhe mbi të gjitha, për garantimin e lirive, të drejtave, kushtet për një jetë ekonomike normale. Çlirimi i tregut nga çdo kontroll mund të jetë katastrofik për njerëzit në nevojë.


Efektet anësore sociale po duken të qarta mbi mjedisin, trashëgiminë kulturore dhe veçanërisht në deformimin e marrëdhënieve njerëzore, dobësimin e strukturave sociale të shoqërisë, në radhë të parë të familjes. Sociologët thonë se ekonomia e tregut duhet të jetë e lirë, por jo deri aty sa të shkatërrojë jetën dhe botën humane...

 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›