Kontrabanda, ndryshon kreu i doganës së Morinit
Ish-zv/drejtori i Antikontrabandës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Gjovalin Progni, do të drejtojë doganën e Morinit
KUKËS - Emërohet drejtori i ri i doganës se Morinit, pika kryesore doganore që lidh Kosovën me Shqipërinë. Gjovalin Progni, ish zv/drejtor i Përgjithshëm i Antikontrabandës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave do të drejtojë doganën e Morinit.
Dërgimi një funksionari të këtij rangu në drejtimin e kësaj dogane duket se ka të bëjë më shtimin e volumit të mallrave që kalojnë nga Kosova në Shqipëri apo anasjelltas, pa shlyer detyrimet doganore.
Si pasojë e hyrjes së mallrave kontrabandë nga Kosova përmes pikës doganore Morinë-Vermicë, llogaritet që evazioni fiskal të shkojë deri në rreth 1.5 milionë euro në muaj. Masë tjetër e marrë me qëllim uljen e kontrabandës është shtimi i numrit të efektivëve të antikontrabandës në këtë doganë.
Nga një grup që vazhdimisht ka qenë i stacionuar më parë në Morinë, aktualisht, në këtë pikë-doganore janë në gatishmëri dy grupe të Antikontrabandës.
Gjatë viteve 1999-2005, në doganën e Morinit ka ekzistuar problemi i kontrabandës me mallra transitë, me destinacion Kosoveë, sidomos me artikullin karburante, por edhe me mallra të tjerë, përfshi edhe ato të akcizës.
Institucionalizimi i marrëdhënieve me doganën e Kosovës në shtator të vitit 2002, ka bërë që kjo lloj kontrabande të njohë rënie të vazhdueshme.
Por problem vazhdon të mbetet tregtia nga Kosova në Shqipëri përmes furgonëve të transportit. Janë rreth 50 furgonë që transportojnë mall të natyrës tregtare, por që janë mësuar të mos paguajnë detyrimet doganore, me pretekstin se kanë mall për përdorim vetjak.
Kjo shifër e lartë, sipas ekspertëve, ka ardhur nga futja kontrabandë e mallrave të akcizës së fortë nga Kosova, si birrë, cigare, pluhur larës dhe lëngje frutash, që ndonjëherë arrijnë në rreth 25 tonë në ditë.
Me ligjin 9122, datë 29/07/2003, të miratuar nga Parlamenti i Shqipërisë, është bërë ratifikimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Shqipërisë e Kosovës.
Me këtë marrëveshje, palët kontraktuese kanë synuar të krijojnë gradualisht një zonë të tregtisë së lirë ndërmjet tyre, kjo gjatë një periudhë transitore, e cila ka përfunduar në fillim të këtij viti.
Kujtojmë se kjo marrëveshje është hartuar në përputhje me dispozitat e marrëveshjes së MPTT-së të vitit 1994, dhe marrëveshjes themeluese të Organizatës Botërore të Tregtisë.
Kjo marrëveshje, e planifikuar për t'u zbatuar në gusht të 2003-shit, de facto ka filluar të zbatohet më 1 tetor të po atij viti. Në anekset e kësaj marrëveshjeje janë specifikuar të gjitha lehtësirat që përftohen nga shkëmbimet tregtare midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Në kufirin Shqipëri-Kosovë ekzistojnë gjashtë pika të kalimit kufitar, ku tre prej tyre kanë status doganor. Morini është pikë doganore e kategorisë së parë, Qafë-Prushi në Has e kategorisë së dytë dhe Qafë-Morina në Tropojë e kategorisë së tretë.