E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Po shtronin rrugën, 48-vjeçari kërcënon me armë punonjësit e firmës private, arrestohet në flagrancë

Policia ka arrestuar një 48-vjeçar i cili kërcënoi me armë gjahu, punonjësin e një firme private të cilët po merreshin me shtrimin e një rruge, pasi pretendonte se ishte pronë e tij.

Policia e Kurbinit ka bërë me dije se rreth orës 12:00, kanë marrë njoftimin se në fshatin Shpërdhet, një 48-vjeçar po kërcënonte me armë disa punonjës të një firme private, të cilët po merreshin me shtrimin e rrugës së gurorëve në këtë fshat. 48-vjeçari pretendonte se territori ku firma private po punonte, ishte pronë e tij.

Policia sqaron se “Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, pas marrjes së njoftimit, rreth orës 12:00, se në fshatin Shpërdhet, një shtetas po kanoste me armë gjahu, disa punonjës të një firme private, të cilët po merreshin me shtrimin e rrugës së gurorëve në këtë fshat, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje, me qëllim parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale”.

Policia ka kapur në flagrancë  A. D., 48 vjeç, banues në Mamurras.

Në momentin e ndërhyrjes, Policia i ka sekuestruar 48-vjeçarit, armën e gjahut “Shotgun” dhe municion luftarak.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›