"Po sikur të nisesha" në Teatrin e Durrësit
Sonte dhe nesër, ora 18.00, në teatrin "Aleksandër Moisiu", shfaqet "Po sikur të nisesha" (Se io Partissi), projekt teatral i fondacionit italian ATAM, teatrit të L'Aquila-ës (Itali) dhe Teatrit të Durrësit. Shfaqja e regjisorëve Fabrizio Pompei dhe Noemi Tiberio flet për emigracionin në Abruzzo (Itali), në vitet '900, një dramatizim i të gjitha materialeve të gjetura, dhe letrave të emigrantëve. Interpretojnë Monica di Bernardo, Sara Gagliarducci dhe Aldo Spahiu. Në këtë shfaqje, interpretuesi shqiptar Spahiu tregon "në dhjetor filluan demonstratat e para. Populli im i lodhur nga 50 vjet tirani, vendosi që aq mjaftonte. Mbaj mend, që një ditë shiu, unë vrapoja me këpucët italiane që kisha, pa çorape, të çara aq shumë, sa më dukeshin të gjithë gishtat e këmbëve".