E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: Grabitësi i bankës nuk është nga Fieri

Grabitësi i bankës mund të jetë edhe nga ndonjë rreth tjetër. Dyshohet se mund të ketë bërë edhe grabitje të tjera

FIER- Grabitja e filialit të njërës prej bankave më të mëdha në vend e ndodhur dy ditë më parë në Fier ka mbetur ende pa autor. Ajo është vjedhur paraditen e së premtes rreth orës 11.05 nga një person deri tani i paidentifikuar. Ky shtetas nën presionin e një arme zjarri tip pistoletë ka grabitur në këtë bankë 500 mijë lekë të reja dhe 960 euro.

Burime nga policia e Fierit shprehen se po hetojnë me intensitet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe kapjen e autorit dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Persona që drejtojnë hetimet dyshojnë se autori i kësaj grabitjeje nuk është banor i Fierit. Ai mund të jetë nga ndonjë rreth tjetër ose nga Tirana duke hedhur dyshime të tjera se autori mund të jetë i njëjti person që ka bërë edhe vjedhje të tjera të këtij lloji edhe në Tiranë. "Është e njëjta skemë e përdorur në të tilla vjedhje",- pohojnë këto burime. Vjedhjet janë bërë në mes të ditës, është ruajtur momenti ku brenda ambienteve të bankës nuk ka klientë duke shtuar njëkohësisht edhe faktin tjetër se dita e javës ku janë bërë këto vjedhje ka qenë e premte paradite. Ekspertët kanë parë edhe pamjet filmike po prej tyre ata nuk kanë asnjë pamje që të tregonte sado pak fytyrën e grabitësit. Ai ka qenë me dorashka në duar dhe në fytyrë një maskë afërsisht ngjyrë jeshile ushtarake. Pra të gjitha këto e kanë bërë të vështirë identifikimin e grabitësit, i cili ka pasur kujdes të mbulojë fytyrën për të mos u identifikuar nga kamerat vëzhguese të bankës. Lidhur me këtë ngjarje janë shoqëruar disa persona midis tyre edhe dëshmitarë të rastit. Ata kanë dhënë dëshmitë e tyre dhe më pas janë lënë të lirë. Sipas hetuesve, gjatë ditës së djeshme janë marrë në pyetje 18 persona. Bëhet fjalë për persona të skeduar më parë si elementë me precedentë kriminalë. Por të gjithë të shoqëruarit kanë pasur alibi për momentin e ngjarjes.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›