E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taçi kërkon sërish lirinë në gjykatë

I arrestuari për rrahjen e Mero Bazes do të kërkojë lirimin nga gjykata e Tiranës dhe më pas nga ajo e Apelit

TIRANË- Presidenti i kompanisë "Taçi Oil", Rezart Taçi, do të dalë para togave të zeza dy herë gjatë kësaj jave për të kërkuar lirinë pas arrestimit për rrahjen e gazetarit Mero Baze. Të hënën në mesditë, pritet që pas kërkesës së avokatëve të të arrestuarit Taçi, ky i fundit të dalë para gjyqtares Fahrie Budo e cila pak ditë më parë vendosi të lërë në qeli me masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve, duke mos pranuar edhe garancinë pasurore prej 100 mijë eurosh. Ky ballafaqim i dytë, sipas burimeve nga gjykata, pritet të bëhet pasi vetë i arrestuari me ndihmën e avokatëve të tij ka kërkuar të revokojë masën e sigurisë arrest me burg, duke kërkuar lirinë, me një masë tjetër sigurie.

Ndërkohë, avokatët e Taçit nuk kanë vonuar për të kapur edhe afatin e ankimit të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë e cila e la në arrest me burg duke e ankimuar në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit, pas apelimit të vendimit të Shkallës së Parë ka caktuar datën 19 nëntor si ditën kur do të shqyrtojë ankimin e vendimit për caktimin e masës së sigurisë arrest me burg ndaj agresorit Rezart Taçi. Nëse gjyqtarja Budo të hënën nuk do të ndryshojë vendimin e caktuar po nga ajo pak ditë më parë, Taçi pretendon të lirohet nga Gjykata e Apelit. Edhe një herë ai do të vendosë një pasuri të madhe në këmbim të lirisë.

Gjithashtu, prokurori i çështjes ka administruar në dosjen hetimore edhe akt-ekspertimin mjeko-ligjor të nipit të presidentit të kompanisë "Taçi Oil" të arrestuarin që ka pranuar se e ka qëlluar gazetarin Baze, shtetasin Irgen Selfo. Sipas akt-ekspertimit, i arrestuari Selfo ka pësuar dëmtime të fytyrës natën e 2 nëntorit gjatë zënkës me grushte me gazetarin Mero Baze. Ndërkohë, edhe dëshmitarët e pyetur nga prokurori ditët e fundit janë shprehur se "mes gazetarit Baze dhe presidentit Taçi ka pasur shkëmbime grushtesh dhe sharje e fyerje mes tyre".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›