Po vijnë ditët kur ER-ja dhe speciet e tij gam-gamë po bëhen të pabesueshëm
Vjen një kohë që propaganda mashtruese, që ka në thelb gënjeshtrën, e mbush kupën dhe bëhet tërësisht e pabeseueshme. E tillë është bërë propaganda e Edvinit, që po vihet në dyshim edhe nga elita e PS-së, e cila po kupton se interesat e vendit janë parësore, në krahasim me interesat partiake. Kastriot Islami, në një prononcim të ditëve të fundit, ka argumentuar domosdoshmërinë e hyrjes së të mandatuarve të PS-së në parlament, që të jenë deputetë të mirëfilltë, pas betimit në kuvend. LSI-ja, me frymëzim euroatlantik, e ka kuptuar prej kohësh këtë detyrim kombëtar, teksa E.Rama, me kontingjentet e tij ekstremiste të PS-së, po bëjnë çmos që uzurpatori i kreut të PS-së ta mbajë ofiqin me çdo kusht, duke qenë i çmandatuar pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Mirë thonë se gënjeshtra i ka këmbët të shkurtra. Propaganda e Edvinit, e të dy Erionëve, e Valentina Leskajt, e Arta Dades dhe, së fundi, e Beqjes (junior) po përgënjeshtrohet ose nga vendimet e gjykatave, ose nga persona me integritet që kanë rënë viktimë e çinformimimit nga ustallarët e dizinformimit, të cilët kanë marrë dorë nga propaganda e diktaturës. Që ky togfjalëshi “propagandë e diktaturës” të mos merret si një slogan retorik, na duhet të tregojmë disa episode groteske, që kanë lidhje me kryepropagandisten e PS-së, “Zërin e Popullit” organ i cili tanimë, në një kohë anakronike për të, nuk ka mundur, - megjithatë, - të shkëputet dot nga huqet e propagandës enveriste: në elozhet e herëpashershme për diktatorin; në panegjirizmit që i lejohet Nexhmijes për të bërë politikë antidemokratike; në gjuhën e dikurshme të shformimit të historiografisë me fryrjen sipas zakoneve të hershme të “kolaboracionistëve”; në mësymjen harbute të kundërshtarëve politikë, shpesh me një profesionalizëm gazetaresk për tokë. Më kujtohet, vite më parë, një polemikë me ZP-në të cilën, drejt me thënë, e kisha të detyruar ta lexoja, për shkak të një rubrike me testatën “Debat”, në atë kohë. I dilja në mbrojtje deputetes së PD-së së kohës, kirurges së talentuar Rushen Golemi. Akuzat nuk i mbaj mend mirë, (sharje alla-zëpiste), se kanë kaluar më shumë se 15 vjet prej asaj kohe. Por titulli apo nëntitulli nuk harrohen: “. . .Tartufi i Cervantesit (!)”. Doemos që u mora jo vetëm me vulgaritetin e shkrimit, por edhe me injorancën e tij. Rusheni ishte shkrirë së qeshuri, - siç më tha në telefon. Propaganda e sotme e PS-së, së përkohshme në zotërim të ER-së, është përgënjeshtruar, siç e thamë, edhe nga faktet që koha nuk mënon t’i sjellë, në mënyrë të pakontestrueshme. Në kryeartikullin e saj të datës 14 Janar 2010 një e përditshme e njohur si gazetë shpifjesh, botoi gënjeshtrën e radhës ku dizinformohej opinioni mbi një takim të hamendësuar me Damir Fazlliçin, të zhvilluar më 4 Janar dhe të fiksuar në kamerat e sigurisë të një restoranti në Tiranë, e ku tema e takimit ka pasur lidhje me shitjen e energjisë! ”Duke mos dashur t’iu humbas asnjë sekondë lexuesve mbi arsyet politike dhe financiare që shtyjnë drejtorin e gazetës për të botuar shpifjen e radhës ndaj personit tim – kundërvepron i akuzuari imagjinar (mbiemri s’ka të bëjë me “Le malade imaginaire” të Molierit), - dëshiroj t’i bëj të ditur opinionit se unë nuk kam diskutuar kurrë, asnjëherë dhe me askënd, çështje të shit - blerjes së energjisë elektrike! Për më tepër takimi i supozuar midis meje dhe z.Fazlliç në datën 4 Janar është gjithashtu, fund e krye, një trillim i ulët i artikullshkruesit! Në pamundësi për të hedhur në gjyq gazetën në fjalë, në respekt të një angazhimi familjar për të mos ngritur padi penale ose civile kundër medies, e ftoj drejtorin e gazetës apo këdo tjetër që të provojë shpifjet në fjale ose të kërkojë falje publike për mashtrimin e radhës!” . Kjo lloj propagande përfiton edhe nga angazhimi i kreut të ekzekutivit, dr. Berishës, që të mos ngrihet padi civile apo penale kundër medies. Dhe kështu po shohim një dukuri të dyanshme. Nga njëra anë ngrihen akuza të panumërta (nga lakejt e ER-së, kuptohet) duke ia shtuar, sa nuk tregohet, punën zonjës Ina Rama, gjer në paralizë të veprimtarisë së saj. Nga ana tjetër propagandistët e së keqes e shtojnë oreksin që të abuzojnë me këtë përparësi në dobi të tyre dhe të kërkojnë, madje, edhe pagesa me vendim gjykate që kemi vënë re se arrijnë në shifra prej 50.000 eurosh, sikur nuk mjaftonin përfitimet e tjera të paligjshme. Nëse doktorit do t’i vijë në majë të hundës për këtë abuzim të dhënies së dorës e të marrjes së krahut (me privilegje janë mësuar den babaden ata që janë edhe tani në puplat) e, duke vënë re se të ligut s’i bëhet gjë e mirë, e do të thoshte: -Mjaft! Se e plasët edhe prokurorinë, - pa të shihnim pastaj sesi nuk do ta bënin z. Filip Lë Huerù që të fliste troç për sugjestionet e keqinfromimet kundër qeverisjes së tanishme, të pudrosura me fantastikime korrupsionesh të paqena. Por shpifarakët as nuk skuqen, as nuk zverdhen, kur iu del rrena në shesh të mejdanit! * * * Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore, z. Filip Lë Huerù, qé i pranishëm këto ditë në vendin tonë dhe pranoi gabimet e institucionit të tij në projektin për bregun e jugut të Shqipërisë. Ai i kërkoi ndjesë qeverisë shqiptare, e cila përballoi padrejtësisht akuzat që u lëshuan nga opozita e Edi Ramës për ndërtimet e paligjshme në Jalë, akuza të cilat BB-ja i kishte quajtur të drejta, sa pa i verifikuar. Përgjigjja e merituar erdhi një vit pasi drejtorit të projektit, Jamarbër Malltezit, të cilit iu desh të ballafaqohej ashpërsisht me laklakët e Edvinit, të porositur që të shfrytëzonin çdo rast të pavërtetuar, vetëm të hamendësuar, për thurrje fabulash të korrupsiont në dëm të qeverisjes së mandatit të dytë, pas korrikut të vitit të vitit 2005. Ky qëndrim i çiltër i zv/presidentit të BB-së, përnjollos dy persona vendas brenda kësaj banke, gra në shërbim të shpifjeve të E. Ramës, dhe kështu dalin në pah makinacionet e Edit jo vetëm në dëm të qeverisjes dypartiake, PD-LSI, por edhe në dëm të vendit tonë. Sot BB-ja shprehet zyrtarisht në një mea culpa se u ngatërrua padrejtësisht në një luftë politike të pambështetur, mes palëve. Jamarbër Maltezit i duhet kërkuar ndjesë për një akuzë të sajuar të propagandistëve të së keqes në vendin tonë. Zëvendëspresidenti i BB-së njeh tani se nuk kanë munguar akuzat dhe sulmet e përditshme ndaj PD-së, krejtësisht të pabaza, dhe në dhunim të plotë me të drejtën. “Nuk pati asnjë provë për korrupsion, - u shpreh ai - në mënyrë që Departamenti për Integritetin Institucional të Bankës, të kryente hetime të mëtejshme. Pra, përfundimisht, duhet të pranojmë që banka ka bërë gabime në këtë projekt (...). Porjektet e zhvillimit të zonës bregdetare tanimë janë qartësuar përfundimisht në rrafshin bilateral. Qeveria ka zbatuar me luajalitet marrëveshjen me Bankën Botërore“- tha më tej, gjatë vizitës së tij, z. Filip Lë Huerú. Kryeministri Berisha falënderoi mysafirin për shprehjet e tij të ngrohta në dobi të vendit tonë dhe për ndihmën që Banka Botërore u zotua të japë për fatkeqësinë natyrore të Shqipërisë, gjatë këtyre ditëve shirash, dëbore e ngricash të parreshtura * * * Z. Libor Rouçek. Zv/president i Parlamentit Europian, në takim me zonjën Jozefina Topallin i tha kryeparlamentares se ai i vlerëson shumë hapat që Shqipëria ka bërë drejt BE-së. Mos të harrojnë socialistët se z. Rouçek është përfaqësues i grupit socialist në PE. Zyrtari i lartë foli në mënyrë inkurajuese për perspektivat shqiptare të liberalizimit të vizave. Natyrisht, ai nuk foli ashtu siç do të dëshironte E.Rama. –“Politika nuk mund të ecë me bojkote, - tha ai. Dhe shtoi: - Unë jam kundër çdo bojkoti. Në një demokraci ne zhvillojmë zgjedhje, ndonjëherë fiton, ndonjëherë humb, por duhet të pranosh rezultatin. Parlamenti është zemra, është qendra e demokracisë”, -u shpreh ai. ”Lupus in fabula”,- thonë latinët për ngjarjet që sjellin njëra-tjetrën. Edhe ne e kemi në trajtën “Kujto qenin, bëj hazër shkopin”. Sapo kujton ER-në në një episod që dënon veprimtarinë e tij politike, të dënuar nga autoritetet me prestigj të politikës euroatlantike, menjëherë të del ngjarja tjetër e ngjashme me atë që porsa ke përmendur! Megjithatë Edi është i vetëm trim në luftë, siç e kanë mësuar të parët!...