Poçi: Pas janarit do të kërkojmë kreun

Vetëm vendi i katërt në renditje pas 14 javësh për kampionen në fuqi është një objektiv që nuk i përshtatet, duke pasur parasysh edhe kontingjentin dinamovit, por edhe shpenzimet ekstreme të presidentit Besnik Sulaj. Fitorja 4-2 me Besën ishte sinjali i qartë se 17-herë kampionët e lanë pas ngërçin e fitoreve dhe golave.
Dinamo vazhdon përgatitjet e saj për ndeshjen me Elbasanin. Një sfidë mjaft e fortë për blutë e për më tepër që do të luhet në transfertë. Asnjë nga skuadrat nuk është në gjendjen e saj më të mirë teksa dhe kreun e kanë jo pak larg. Në fjalën e tij, mesfushori titullar i bluve shprehet optimist për një rezultat pozitiv që do ta ndihmonte Dinamon të afrohej edhe më shumë me skuadrat pretendente.
“Ndeshja e ardhshme me Elbasanin do të jetë shumë e fortë, pasi është një kundërshtare që gjithnjë na ka hapur probleme si brenda dhe jashtë fushës sonë. Fitorja me Besën e ka rritur shumë anën psikologjike të skuadrës që ka vuajtur jo pak në ndeshjet e saj. E rëndësishme për ne është që të mos biem shumë në renditje, në mënyrë që pas merkatos së janarit të jemi të gatshëm të synojmë renditjen në krye me objektivin e vetëm që është titulli kampion. Bazën e lojtarëve e kemi, por ndonjë përforcim do të ishte shumë i domosdoshëm për ne”.
E Enjte, 11 Dhjetor 2008