Pika e Zezë

Për më shumë se pesë vjet është duke qarkulluar një draft i Ligjit për Financimin e Partive Politike në Kosovës, por nuk ka arritur formën e tij finale.
Tash, ky ligj që rregullon mënyrën e sigurimit të mbijetesës së partive, është në sirtarët e Parlamentit të Kosovës. Në mungesë të ligjit, partitë politike në Kosovë vazhdojnë të mbesin gjallë nga burimet financiare, që i sigurojnë pa bazë ligjore.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi kishte paralajmëruar se ligji do të miratohej para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Kuçi jep një arsyetim për këtë vonesë.
“Një draft është përgatitur dhe ai draft duhet edhe pak kohë të shqyrtohet me subjektet politike që janë në Parlament”, arsyetohet Kuçi.
Sipas tij, miratimi i ligjit heq shumë dilema për mënyrën e mbijetesës së partive politike.
Edhe Shefi i Grupit Parlamentar të AKR’së, Ibrahim Makolli, thotë se ligji duhet të miratohet për të rritur transparencën dhe llogaridhënien për mjetet që shpenzojnë partitë.
“Ky ligj do të vendoste rregulla dhe do të rriste transparencën e partive politike. Mungesa e këtij ligji është përmendur si pikë e zezë në shumicën e raporteve ndërkombëtare”, ka thënë Makolli.
Por, kujt po i konvenon mungesa e Ligjit për Financimin e Partive Politike?
Ibrahim Makolli mendon se partitë në pushtet kanë vullnet për të vazhduar me këtë gjendje.
“Mungesa e këtij ligji më së shumti u konvenon partive në pushtet, sepse po të kishin vullnet politik kjo çështje do të ishte harruar”, shton ai.
Makolli kërkon mekanizma efikas dhe vullnet politik për implementimin e ligjit.
Të njëjtin qëndrim e ka edhe Këshilltari i Liderit të AAK’së, Avni Arifi.
“Është me rëndësi, jo vetëm aprovimi i ligjit, por edhe një mekanizëm që do ta implementonte ligjin. Kosova ka shumë ligje në letër që nuk zbatohen”, ka thënë ai.
Sipas tij, mungesa e ligjit ka bërë që të ketë shumë keqinterpretime për mënyrën e financimit të partive.
Në Projektligjin për Financimin e Partive Politike thuhet se nga Buxheti i Shtetit duhet të ndahen jo më shumë se një për qind e shumës totale për aktivitete e partive. Nëse kjo shumë përkthehet në euro, partitë politike do të mund të përfitonin rreth 14 milion euro në vit. Sipas Projektligjit, 90 për qind e mjeteve, ndahen në përputhje me vendet e fituara në Parlament në zgjedhjet e fundit dhe 10 për qind e mjeteve ndahen mes subjekteve politike që nuk janë të përfaqësuara në Parlament.
Aty precizohet se kush nuk mund të financojë partitë politike.
Sipas këtij dokumenti, partitë nuk guxojnë të financohen nga organizatat e huaja qeveritare dhe joqeveritare, që kanë për qëllim rrezikimin dhe destabilizimin e sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës. Partitë nuk financohen as nga personat anonimë fizikë dhe juridikë; dhuruesit anonimë; institucionet dhe ndërmarrjet me kapital të fituar nga bixhozi, bastoret e ndryshme apo lojërat e fatit, si dhe nga entet vendase publike, ose me pjesëmarrje të kapitalit shtetëror. Po ashtu, partitë politike nuk mund të financohen nga kompanitë publike dhe private që marrin tenderë nëpër institucionet shtetërore.