E Martë, 3 Nëntor 2026

Programe pas shkolle dhe ushqim për fëmijët, paga mesatare e mësuesit nga 950 euro në 1250 euro

TIRANË, 29 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të programit të Partisë Socialiste Shqipëria 2030, u ndal edhe tek arsimi, duke u shprehur se numri i laboratorëve inteligjentë në shkolla të shkojë në një mijë nga 340 që janë aktualisht. Rama tha se çdo bashki në qendër dhe qark do të nisë programin e ushqimit në shkolla dhe do të nisë po ashtu një program i ri pas shkollor.

“Kur ne morëm detyrën, shkollat nuk kishin laborator, kishin ca klasa të lodhura me ca kompjuterë që nuk ndizeshin më. Sot kemi laboratorët inteligjentë në 340 shkolla. Brenda mandatit të katërt numri i laboratorëve inteligjentë do të jetë 1 mijë. Nuk do të kemi më asnjë fëmijë në të gjithë perimetrin e Republikës së Shqipërisë, që nuk do të ketë akses në mësimin e teknologjisë digjitale.

Brenda mandatit të katërt, çdo bashki qendër qarku do të nisë programin e ushqimit në shkolla dhe do të nisë po ashtu një program i ri pas shkollor, programi After School, i cili është një hap më tutje mbi bazën e shkollës qendër komunitare, sepse aty ku do të jetë ushqimi, do të jetë edhe mundësia që prindërit të mos shqetësohem për të marrë fëmijët nga shkolla, duke lënë punën, apo për të marrë vesh se ku po shkon fëmija mbasi del nga ora e mësimit. Po do të kemi qartësi për një hark qëndrimi në shkollë që do të zgjasë shumë përtej orës së mësimit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “brenda vitit 2026, shkollat do të mbrohen dhe siguria në shkolla do të garantohet me kamera inteligjente, ndërsa ulja e bullizmit, e mungesave apo e kopjeve në klasë, do të jetë drastike. Është një projekt i përfunduar, është një financim i nënshkruar dhe thjeshtë e vetëm tani është vetëm realizimi i projektit. Mandatin e katërt do të ngrihet shoqëria publike e transportit shkollor, e cila do të kryejë transportin falas të nxënësve nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas dhe do të mbyllë dhe epokën e parave që jepen për transportin dhe shkojnë në lloj-lloj duarsh, në lloj-lloj kompanish, në lloj-lloj mikrobusësh, në lloj-lloj furgonash”.

Kryeministri u ndal edhe te paga mesatare e mësuesve, e cila është dyfishuar krahasuar me kohën kur Partia Socialiste mori detyrën. “Ishte 420 euro në vitin 2013 dhe sot është 950 euro. Ndërkohë që në Shqipërinë 2030, mësuesit do të kenë një pagë mesatare 1250 euro. Kur ne morëm detyrën, tekste falas kishte zero. Të gjithë prindërit i blinin librat e fëmijëve dhe nuk po hyj këtu se ç’lloj librash blinin, një xhungël. Sot prej vitesh, 238 mijë nxënës i marrin tekstet e shkollës falas”, nënvizoi Rama.

“Ne kemi ndërtuar 450 shkolla, nga të cilat kanë përfituar 200 mijë nxënës që sot hyjnë dhe dalin në shkolla që nuk kanë asgjë mangut, jo të gjitha shkollave në Bashkimin Europian, por shkollave më të mira në Bashkimin Europian. Në mandatin e katërt, këtij gjerdani do t’i shtohen edhe 200 shkolla të reja. Gjatë mandatit të katërt, do të dyfishohet numri i nxënësve në arsimin profesional.

60 milionë euro janë përcaktuar të investohen në ndërtimin e shkollave profesionale, në instalimin e laboratorëve teknikë dhe në ndërtimin apo rindërtimin e konvikteve të shkollës personale, që do të jenë konvikte shembullore me cilësinë më të mirë për të gjithë nxënësit që do të studiojnë në këto shkolla”, nënvizoi Rama.

Sipas Kryeministrit, objektivi është që në Shqipërinë 2030, 35% e numrit të përgjithshëm të nxënësve të studiojë në shkolla profesionale.

“Në Shqipërinë 2030 të gjithë nxënësit e arsimit profesional do të kenë një trajtim të posaçëm dhe të gjitha familjeve që janë në periferitë rurale, do t’u jepet mundësia që fëmijët e tyre t’i çojnë në dorë të sistemit publik çohet personale dhe për ta do të kujdeset nga A tek ZH sistemi publik. Kur ne e morëm detyrën, numëroheshin me gishtat e duar palestrat në Republikën e Shqipërisë. Sot kemi 200 palestra të reja në shkollë. E kemi filluar me palestra të kohës kur unë luaja basketboll që numëroheshin me gishtat e duarve në të gjithë Shqipërinë. E kemi filluar me një sistem arsimor, ku ishte zhdukur edukimi fizik dhe ku sporti në shkollë ishte në inekzistent. Lëvizja e re e ekipet sportive në shkolla ka përfshirë mbi 12 mijë fëmijë dhe adoleshentë, duke rilindur frymën e sportit tek brezi më i ri, por dhe duke hedhur bazat e një zhvillimi të qëndrueshëm të sportit kombëtar”, pohoi Rama, ndërsa shtoi se në mandatin e katërt do të shtohet numri i disiplinave sportive dhe do të mbështeten bashkitë që do të ecin në këtë drejtim me përparësi.

“Dhe ne synojmë që të paktën 20 mijë fëmijë dhe adoleshentë të jenë të aktivizuar në të gjithë zinxhirin e ekipeve sportive në shkolla, të paktën. Kur morëm detyrën, arsimi i lartë financohej me më pak se 70 milionë euro. E trefishuam financimin për universitetet dhe sot ato financohen me 200 milionë euro. Deri në fund të mandatit të katërt, ne do të realizojmë edhe investimet e projekteve madhore të Universitetit të Tiranës, Kolegjit të Europës, dhe do të thellojmë ndërkombëtarizimin përmes aleancave të universitetit tonë me ato të BE-së, duke e bërë ofertën akademike edhe më tërheqëse, jo vetëm për studentët vendas, por edhe për studentët europianë. Hyrja në Bashkimin Europian do të ketë edhe këtë impakt të drejtpërdrejtë”, cilësoi Rama.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›