Prezantohet programi “Shqipëria 2030”, Rama: Sot në tryezë kemi një plan të dakordësuar me BE-në për t’i mbyllur negociatat në 2027

TIRANË, 29 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama shpalosi sot programin e Partisë Socialiste “Shqipëria 2030”. Në fjalën e tij kreu i qeverisë u ndal tek procesi i integrimit të vendit drejt Bashkimit Europian, ku nënvizoi se sot kemi në tryezë një plan të dakordësuar me BE-në për t’i mbyllur negociatat brenda dy viteve të ardhshme.
Rama u ndal në disa momente kyçe, ku theksoi se pavarësisht pengesave, Shqipëria ka arritur të përparojë në rrugën e saj drejt integrimit europian, duke mos u dorëzuar asnjëherë.
“Katër vite më parë këtu në këtë sferë shpalosëm piketat kryesore të programit qeverisës të mandatit të tretë. Ishte një kohë tejet e vështirë, pas një tërmeti shkatërrimtar dhe në mesin e një pandemie që kryqëzoi mbarë botën. Ka dy arsye pse unë desha që të rikthehemi sot pikërisht këtu për të shpalosur Shqipërinë, majën e Shqipërisë 2030, duke përshkuar pikat më domethënëse të kthesës historike që Shqipëria ka bërë gjatë qeverisjes sonë. Arsyeja e parë në një moment reflektimi dhe gjykimi të sovranit të popullit siç është koha e zgjedhjeve ka gjithnjë nevojë për të kujtuar nga jemi nisur dhe çfarë kemi kaluar për të arritur deri këtu, sepse vetëm duke mos harruar të djeshme ne mund ta shohim me qartësi të nesërmen. Arsyeja e dytë është se duke e zhvilluar kështu këtë komunikim, jo vetëm kursejmë kohë, energji dhe shpenzime, por edhe krijojmë një mjedis më intim komunikimi me të gjithë ata që na ndjekin”, u shpreh Rama.
“Kur unë isha këtu me skuadrën e mandatit të tretë Shqipëria ishte peng i dinamikave të brendshme të BE-së dhe fillimi i negociatave i cili rekomandohej çdo vit nga Komisioni Europian kundërshtohej nga një vend, nga dy vende nga një vend prapa, për arsye që nuk kishin lidhje me ne, refuzonin të bënin konsensusin e Këshillit Europian, megjithatë në nuk u dorëzuam asnjë ditë. Zhgënjimin nga refuzimet arbitrare tri herë rresht të rekomandimit të Komisionit Europian për çeljen e negociatave e kthyem për vite me radhë në një forcë të shtuar për të punuar njësoj sikur t’i kishim hapur negociatat dhe për të përparuar duke ndjekur të gjithë hartën e rrugës së negociatave për të qenë gjithmonë gati sapo të vinte radha jonë”, theksoi Rama.
Rama tha gjithashtu se është krenar që Shqipëria ka arritur të influencojë politikën e BE-së, ku përmendi Planin e ri të Rritjes.
“Nga ana tjetër në ngritëm çdo vit e më lart emrin e Shqipërisë dhe pozicionuam flamurin tonë kombëtar aty ku nuk imagjinohej deri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Po ashtu ndërtuam kanale komunikimi të drejtpërdrejtë me partnerët tanë ndërkombëtarë në kohë reale dhe në nivelet më të larta, duke arritur deri të influencojmë politikën e BE-së ndaj rajonit tonë, konkretisht plani i ri i rritjes i cili solli një mbështetje financiare ekstra nisi këtu në Tiranë nga takimet bilaterale dhe u përpunua gjatë gjithë kontakteve qoftë me Brukselin, duke i bindur se duhet bërë një sforco ekstra, ndërkohë që vendet tona vijojnë procesin drejt BE-së. Në fund e fituam me meritë të plotë ndeshjen e gjatë politike dhe diplomatike duke hapur negociatat e anëtarësimit duke u ulur në tryezë ballë për ballë me Komisionin Europian. Sot jemi aty ku nuk mund të parafytyrohej kur e nisëm detyrën”, tha Rama.
“Pse jemi aty ku nuk mund të imagjinohej? Sepse sot në Shqipëri kemi në tryezë një plan të dakordësuar me BE-në për t’i mbyllur negociatat për dy vitet e ardhshme. Për herë të parë kemi në dorë mundësinë historike të hyjmë në BE, tani brenda kësaj dekade jo në të ardhshmen. Ylli i fatit tonë është rreshtuar me yjet e fatit të Europës”, tha Rama.
“Këtë mundësi nuk e kemi pasur kurrë, për herë të parë nuk jemi vetëm ne që duam të hyjmë në BE por është dhe BE që kërkon të na marrë brenda në gjirin e vet sa më parë, prandaj po negociojmë me një vrull të jashtëzakonshëm i dyanshëm, jo thjesht nga ana jonë por edhe nga ana e tyre, për të mbyllur në një hark kohe rekord absolut, hark trevjeçar një proces që për të tjerët ka zgjatur shumë më tepër. Duhet t’ua tregojmë njerëzve”, tha Rama.
/r.e/