Podrimja, megjithatë, foli (2)

Përgjithësisht, në literaturën shqiptare – por edhe albanologu i njohur, Robert Elsie, që përktheu në anglisht jo vetëm përmbledhjen tuaj “Kush do ta Vrasë Ujkun”, si dhe shumë vepra tjera shqipe - shkruan se ju ”konsideroheni nga shumëkush si një nga përfaqësuesit tipikë të vargut bashkëkohor shqiptar”. Cilat janë karakteristikat definuese të vargut bashkëkohor shqiptar? Si gërshetohet poezia juaj në traditën e gjatë të poezisë shqipe, si p.sh. të Rilindjes ose të periudhës së realizmit socialist? Si e kanë përqafuar krijimtarinë tuaj dhe atë të shkrimtarëve të kohës poetët e rinj?
Podrimja: Në vitin 1960 shkrova poemën “Kosova Është Gjaku Im që Nuk Falet”. Shkaku i këtij guximi më dëbuan nga Gjimnazi i Gjakovës, kështu që bridhja rrugëve të qytetit pa ditur ku të strukem. Ata që më kishin nxjerrë nga shkolla ishin nga radhët e forcave të shërbimit sekret komunist, që nuk ia donin të mirën Kosovës - por as paqes njerëzore.
Pas pak kohe, prindërit më kishin vdekur, dhe thua që s’kishte ditë që s’shkoja t’i vizitoja te varrezat, sepse ata më kishin mësuar shkollën më të madhe: se ç’është njerëzorja; një gjë nuk bën të mposhtet. Edukata e tyre më kishte trimëruar, krahas disa librave të autorëve amerikanë e botërorë që i lexoja tinëzisht nga policia sekrete serbe. Gjithçka njerëzore, edukative nga tradita, s’bën të harrohet. Dhe tradita frymon në vargjet e mia bashkëkohore për aq sa meriton të jetë e paharrueshme. Nuk di si e konsiderojnë dhe e klasifikojnë historianët, kritikët dhe studiuesit e letërsisë krijimtarinë time, por kjo s’ka rëndësi, e rëndësishme është që poezinë njerëzore ta kuptojnë lexuesit dhe të të adhurojnë për krijimtarinë tënde. A jam bashkëkohor a tradicional, kjo s’ka shumë rëndësi. Mua asnjëherë nuk më kanë bërë përshtypje rrymat, drejtimet e shkollat letrare. “-izmat” shkojnë e vijnë, por krijimet me frymë madhore humane mbesin përgjithmonë, siç ka mbetur p.sh. krijimtaria e Homerit, Shakespeare’it, e të tjerëve. Më shumë nuk do të merresha me këtë çështje. Nuk do ta definoja vargun bashkëkohor shqiptar e as ndikimin tim tek krijuesit e rinj. Secili e ka meritën e vet, secili e ka stilin e vet krijues. Koha është matësi dhe klasifikuesi më i mirë i vlerave.
Shumë intelektualë shqiptarë kishin kaluar Atlantikun, si Fan Noli, Faik Konica, e shumë të tjerë, për të shpëtuar parasëgjithash kombin dhe miqësinë me SHBA’të. Unë ndjehem krenar që u rrita duke lexuar shkrimtarë eminentë amerikanë, dhe duke dëgjuar sesi duhet Atdheu dhe si çmohet humanja, paqja e demokracia. Vargu im i viteve të 60’a të shekullit të kaluar “Kosova Është Gjaku Im që Nuk Falet”, për të cilin më kishin përjashtuar nga gjimnazi, një ditë nga liridashësit ishte bërë himn e flamur i të rinjve në luftën kundër soldateskës së regjimit të Milosevic’it, dhe ky ishte një respekt që vërteton se ia vlen të shkruhet, të jesh i angazhuar në rrjedhat shoqërore të kohës. Ky varg ishte bërë betim për të rinjtë dhe UÇK’në. Për mua, ky ishte respekti më i madh nga i cili sytë më mbushen me lot. Më në fund, besimi dhe guximi njerëzor kishin triumfuar.
Përveç Zotit, unë i përkulem edhe Amerikës. Falënderues i përjetshëm i jam SHBA’ve dhe forcave të NATO’s. Falënderues janë gjithë shqiptarët, të cilët përkulen me pietet para SHBA’ve dhe demokracisë së saj. Prandaj, do mbetem ushtar dhe ithtar i përjetshëm i çështjes njerëzore...
Kjo intervistë do të shoqërohet me disa poezi nga cikli juaj poetik “Kali i Trojës”, nga botimi “Torzo”, i vitit 1971. Imazhet e mitologjisë greke kanë qenë temë e ringjallur në letërsinë shqiptare. Për shembull, poezia juaj “Itaka” (nga botimi juaj “Fund i Gëzuar”, i vitit 1988) flet për ishullin e Odisesë, për endacakun e famshëm, i cili është bërë një metaforë e fuqishme për poetët. Në të vërtetë, bashkëkombësi juaj kosovar, Din Mehmeti, gjithashtu ka shkruar një poezi për Itakën dhe për shtëpinë e humbur, të quajtur “Olimpi”, njësoj sikurse edhe Bardhyl Londo (“Itaka” dhe “Vetëm Itaka Mbetet”). Në poezinë e tij “Nuk më Pëlqen Itaka”, Fatos Arapi krahason vetveten dhe shqiptaqrët me Hektorin dhe trojanët, e Enver Hoxhën me luftëtarin grek Akilin, fuqinë shkatërruese të të cilit ai e urren dhe ia ka frikën. Cila është fuqia e metaforave mitologjike për ju, ose për poezinë moderne shqipe në përgjithësi? A ka poezia juaj lexime të ngjashme alegorike?
Podrimja: Pa këto imazhe s’ka letërsi të vërtetë. Letërsia dhe veçmas poezia pa figura, metafora, simbole, mite e ironi s’është letërsi. Pa këto s’ka letërsi bashkëkohore. Pa mitin e simbolin për demokracinë e lashtë greke por edhe ilire, luftërat çlirimtare, demonët shkatërrues, flijimin për popullin, shoqërinë, shokët e mirëqenies njerëzore, nuk ka as poezi të mirëfilltë. Miti dhe simboli janë program, prandaj letërsia bashkëkohore i kthehet mitit e simbolit si diçka e domosdoshme për poezinë. Qoftë Din Mehmeti, qoftë Bardhyl Londo, qoftë Fatos Arapi, a ndonjë tjetër, që i konsideroj poetë të vërtetë, e kanë përdorur me mjeshtri figuracionin poetik në shumë raste për t’i ikur komunizmit, për t’u marrë disi me të kaluarën, por gjithnjë me aludim në të renë e regjimit komunist - që ishte një murtajë e njerëzimit, bashkë me stalinizmin. Thënë troç, s’ka poezi të fuqishme pa metafora, simbole, mite e figuracion tjetër poetik. Fundja, kjo është arma e poetëve. Se si e lexojnë poezinë time nuk mund ta di, por se e adhurojnë krijimtarinë time këtë e kam të qartë.
Ne të gjithë dashurojmë, por artistët e ndjejnë atë ndryshe. Ndoshta këtë përshtypje e krijojmë duke qenë se ata kanë një mënyrë të veçantë për ta shprehur atë. Për shembull, muzikantët përmes muzikës së tyre, e poetët përmes vargjeve. Për shkak të statusit të veçantë politik e shoqëror të shqiptarëve përgjatë historisë, shumica e poezive tuaja më të mira shprehin këtë status. Por, çfarë vendi zë kjo ndjenjë hyjnore në shkrimet tuaja? Çfarë dhe kush ju inspiron të shkruani për dashurinë dhe çfarë saktësisht keni shkruar për të?
Podrimja: Keni të drejtë. Dashuria vërtet është diçka hyjnore. Ajo sjell gëzim në jetë. Poetët më të mëdhenj botërorë ia kanë kushtuar vargjet më të mira bukurisë dhe dashurisë ndaj femrave. Është e domosdoshme të rikujtojmë njeriun, si krijesën më të bukur të natyrës, dhe në veçanti femrën. Së pari artistët duhet ta duan secilin njeri si krijesë madhështore. Unë kam përpiluar librin për humanisten e madhe shqiptare, nobelisten Nënë Tereza, me titull “Mësomë të Dua”, i botuar në shqip e anglisht dhe i shpërndarë gjithë politikanëve e humanistëve të botës në Vatikan, me rastin e lumturimit të saj.
Për femrën dhe dashurinë ndaj saj kam një ndjenjë të dëlirë, të lartë, por edhe tronditëse. Femra ka vuajtur shumë gjatë historisë dhe pa të drejtat e barabarta të saj me mashkullin nuk ka përparim, nuk ka jetë të mirëfilltë shoqërore. Është njerëzore dhe hyjnore t’i kushtosh vargje bukurisë së vashës, qenies së saj të përsosur fizike dhe shpirtërore. Edhe unë, si krijues, kam shkruar vargje për dashurinë. Konsideroj se kjo është universale dhe hyjnore, prandaj shumë poetë e krijues të tjerë kanë shkruar për dashurinë. Populli im ka shumë këngë popullore qytetare për dashurinë, dhe ato vërtet janë kulmi i bukurisë dhe i dashurisë, sidomos këngët shkodrane, gjakovare, veçmas serenadat korçare. I çmoj vargjet e dashurisë së sinqertë, reale, por jam kundër dashurisë platonike të tipit: “Baltë e pluhur do të bëhem, të më shkeli këmba e saj”.
Romantiku dhe patrioti i madh hungarez, Shandor Petefi, pati thënë se për dashurinë jap gjithçka, ndërsa për mbrojtjen e atdheut jap edhe dashurinë. Kishte të drejtë. Çështje mbi çështjet është Atdheu, kombi, ekzistenca, mirëqeni, mirëkuptimi, toleranca. Ne poetët shqiptarë ishim një kohë të gjatë nën robëri, dhe çështje parësore kishim çlirimin kombëtar dhe mbetjen gjallë, por pa harruar asnjëherë dashurinë ndaj femrës, e cila gjatë gjithë historisë ishte krah për krah me meshkujt në të gjitha frontet e luftës për liri e pavarësi. Prandaj, femrën duhet shndërruar në kult të mirëqenies njerëzore.
Për disa ditë ju do të niseni në një udhëtim në disa vende të ndryshme. Cili është qëllimi i këtij udhëtimi dhe si do t’ia hapë rrugët prezenca juaj në ato vende një njohjeje më të mirë poezisë e letërsisë?
Podrimja: Çdo udhëtim i krijuesve të artit është një urë lidhëse mes popujve. Përmes disa shkrimtarëve, letërsia shqiptare ka krijuar imazhin e mirë në botë, veçmas përmes romaneve të Ismail Kadaresë, Fatos Kongolit, e ndonjë tjetri. Unë kam mision ta prezantoj artin tim, popullin tim, letërsinë time, që kurrë dhe në asnjë periudhë historike s’ishte shoviniste, por ishte tolerante dhe dashamirëse për përparimin e çdo populli tjetër liridashës në botë.
Cila është barsoleta apo fjala e urtë gjakovare më e preferuar për ju?
Podrimja: “Hajt bacë, t’u rrittë mendja”.
Çfarë pyetje do të donit t’ua kishim bërë, e që nuk ua bëmë?
Podrimja: Boll keni bërë pyetje. Bile-bile brendapërbrenda pyetjeve tuaja u gërshetuan edhe shumë pyetje e nënpyetje tjera.
Por, ja, por e them. “Kur do të Flasësh, o Ali Podrimja” ishte një klithmë që i bëhej popullit të uritur dhe të tërbuar nga tmerri serb, sepse ishte e pamundur ta mposhtësh një egërsirë e cila bënte çmos që të kapërdinte hapësirën shqiptare dhe çdo gjë të gjallë. Prandaj klithma “Kur do të Flasësh, o Ali Podrimja” ishte klithje e popullit që bënte çmos zgjimin e një bote të fjetur, ndërsa vargu “Kush do ta Vrasë Ujkun?”, ishte një paralajmërim se do të liroheshim nga egërsia e gjakut të zi.
* Intervistën me Podrimjen e bëri Adam J. Goldwyn, që asokohe ishte profesor në Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK), dhe i cili aktualisht është profesor i po këtij universiteti në Ipsala (Suedi). Ndërkaq studentja e AUK, Rineta Hoxha, përktheu bisedën mes tij dhe Podrimjes.