E Diel, 1 Nëntor 2026

Poezitë e Visar Zhitit “këndohen” në Paris

Një koncert është mbajtur në Bazel të Zvicrës me muzikë të kompozuar nga Thoma Simaku, i cili jeton në Londër, me muzikë krijuar mbi motive shqiptare. Pjesa për soprano, “Locked Door”, është kompozuar nga kompozitori shqiptar, Simaku, mbi motivet e poezisë së Visar Zhitit. Marrë nga vëllimi me poezi “Dyer të gjalla”, përkthyer në anglisht nga Robert Elsie, pjesa u interpretua nga sopranoja Christine Simolka dhe Rene Wohlhauser (piano). Edhe më parë, kompozitori Simaku është shprehur për frymëzimet shqiptare të muzikës së tij. “Kjo poezi me të vërtetë që të mbërthen: në një hapësirë kaq të vogël ka një koncentrim dhe intensitet të përsosur”, thotë ai. Por ky koncert do të udhëtojë edhe në Paris më datën 2 tetor, ku sërish muzika e Thoma Simakut dhe poezitë e Visar Zhitit do të vijnë në një kombinim interesant. “Kompozimi i Thoma Simakut mbi poezinë e Visar Zhitit erdhi tek unë sa pasionante aq edhe e dhimbshme herën e parë që më ra në dorë. Mbartte një gamë të madhe emocionesh, të cilat mund t’i përjetojë një i burgosur në pozicionin e Zhitit: depresion, inat, dëshirë, frikë, humbje, pajtim, shpresë etj. Çdo fjalë peshon në ajër, sikur të ishte gdhendur në muret e burgut”, shkruan Lisa Kay për këtë pjesë me muzikë dhe tekst shqiptar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›