E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skifter Këlliçi: Si e përjetova 11 shtatorin

Libri: Shtatori i gjëmës së madhe

Autori: Skifter Këlliçi

Gjinia: Roman

Romani “Shtatori i gjëmës së madhe”, i cili përqendrohet në përvojat e njerëzve që kërkojnë të mbajnë gjallë sensin e lindjes e të rilindjes, të së çuditshmes dhe të rrezikshmes, ndonëse dasma kurrë nuk arrin të bëhet, me autor Skifter Këlliçin është promovuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “Nënë Tereza”. Skifter Këlliçi është intelektual publik, i njohur gjerësisht në botën shqiptare si shkrimtar, komentator e gazetar sportiv. Ka shkruar me dhjetëra shkrime publicistikë, letrare dhe komente sportive, me dashamirësi, modesti dhe profesionalizëm. Me romanin më të fundit “Shtatori i gjëmës së madhe” Skifter Këlliçi na sjell një këndvështrim tjetër, madje në mënyrë krejt origjinale, ngjarje të së njëjtës tragjedi, -këndvështrimin sesi një ditë paranoja e terrorizmit do të binte mbi ngrehinën e dy kullave binjake, duke na sjellë gjithashtu këndvështrimin e njeriut që përjetoi dhimbjen që solli një nga tragjeditë njerëzore më të tmerrshme në historinë amerikane dhe botërore. I ndërtuar me episode, të cilat rrëfejnë ngjarjen që ndodh brenda dy ditësh (10 dhe 11 shtator 2001), romani shtjellon me finesë artistike-letrare e filozofike, historinë e dasmës së gazetarit të njohur të CNN-it, Stiv Ferguson, me Zhaklinë Kramerin, punonjëse avionësh në aeroportin ndërkombëtar “Logan” të Bostonit, ku si të ftuar, veç atyre amerikanë, do të ishin edhe miqtë e tyre shqiptarë: Besim Vokshi nga Prizreni; Rrok Camaj, nga Gruda; arbëreshi Marko Muzaka; të cilët punonin në Kullat Binjake të Nju-Jorkut; si edhe gazetari Sokol Kama nga Tirana, që punonte së bashku me Zhaklinën në aeroportin bostonian. Autori Këlliçi me mjeshtëri e talent krijon personazhe kryesore dhe ata të mjedisit, të portretizuar me ngjyra plot kontraste, të cilët ndodheshin në kabinat e avionëve në kushtet e një terrori të egër, të situatave jashtëzakonisht të ndërlikuara, të krijuara nga trysnia e terroristëve fundamentalistë islamikë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›