Pogradec, ekzekutohet me plumb në kokë 39-vjeçari

Festim Çekiçi është gjendur vetëm pak metra larg shtëpisë teksa ishte ende i gjallë. Vdiq pa treguar emrat e vrasësve
POGRADC- Një 39-vjeçar nga Pogradeci është ekzekutuar në orët e vona të së premtes me një plumb në kokë në rrethana ende misterioze. Festim Çekiçi është gjendur rreth orës 11 e 20 minuta, në trotuarin e shëtitores buzë liqenit, pak metra larg pallatit ku banonte. Kanë qenë dy kalimtarë të rastit që kanë gjetur viktimën të mbuluar me gjak nga një vrimë plumbi që kishte marrë mbi vetullën e krahut të djathtë. Çekiçi ishte ende gjallë në momentin që u gjet nga kalimtarët por vdiq vetëm pak minuta më pas. Ai nuk ka mundur që të tregojë emrin e njeriut që i ka marrë jetën.
Një grup hetimor është ngritur menjëherë për të hetuar rreth kësaj vrasjeje. Dëshmitarët e ngjarjes kanë pohuar në polici se nuk kanë parë asnjë njeri ose makinë që të kalojë në shëtitoren e qytetit të Pogradecit. Në këto kushte policia ka ngritur dyshimet se vrasësi mund të ketë dalë nga një rrugë dytësore e asaj që kthehesh tek stadiumi i qytetit, ku i ka zënë pritë viktimës pak metra larg pallatit ku ai banonte. Dëshmitarët që e kanë arritur të gjallë viktimën kanë deklaruar në polici se nuk kanë dëgjuar të shtëna armësh. Kjo të shton dyshimin që vrasja mund të jetë kryer me ndonjë pistoletë me silenciator .
Policia ka shoqëruar më tepër se 30 persona që e njohin viktimën dhe kanë pasur të bëjnë me atë të cilët po merren në pyetje por ende nuk ka dalë me një pistë konkrete. Viktima Festim Çekiçi (Peti) ishte babai i dy fëmijëve me orgjinë nga Starova dhe kishte vetëm pak vjet që banonte në lagjen nr 1 të Pogradecit.
Sipas burimeve policore, viktima merrej me lotaritë e sportit dhe ishte shumë i dhënë pas tyre. Madje ishte edhe shumë tifoz me skuadrën e futbollit të Pogradecit dhe e ndiqte kudo që ajo shkonte për të luajtur. Ai njihej si njeri i shoqërueshëm dhe kishte rreth të gjerë shoqëror. Policia ende nuk ka ndonjë pistë konkrete për të zbuluar vrasësin e 39-vjeçarit Çekiçi.
"Ai kishte një vrimë në kokë nga e cila rridhte pa pushim një curril i hollë gjaku"
Dëshmitari: Si gjetëm trupin e viktimës
Dëshmitarët okularë të ngjarjes, 60- vjeçari Mustafa Dervishaj dhe Fatmir Hamolli, të cilët kanë gjetur rastësisht duke shëtitur 39- vjeçarin Festim Çekiçin ( Peti ) të mbytur në gjak në cep të trotuarit rrëfejnë të gjithë ngjarjen.
"Rreth orës 22 e 30 minuta më merr në telefon një shoku im, pronari i fabrikës së karrigeve në Gurras, Fatmir Amolli dhe më thotë: Mustafa jam shumë i lodhur dhe do të bëj një shëtitje buzë liqenit.Pranova menjëherë dhe u takuam në mes të qytetit. Filluam që të ecim në anën e majtë të trotuarit shumë ngadalë. Rruga ishte krejt e qetë dhe nuk kam parë asnjë kalimtar, ishim vetëm ne të dy me Fatmirin. Kishim ecur përgjatë bregut rreth 500 metra kur befas pamë një person të shtrirë në trotuarin që po ecnim ne. Kishte veshur një xhup gri të shndritshëm me material plastik. Trupi ishte i shtrirë në cep të trotuarit. Sapo mbërritëm atje dallova që viktima gulçonte dhe fytyra ishte mbushur plot me gjak.
Fillimisht mu duk sikur i kishin nxjerrë sytë pasi gjaku i ishte përhapur nëpër të gjithë fytyrë. Viktima ishte i shtrirë me fytyrë nga ana e qiellit. Me një shami fillova që t`i pastroj fytyrën dhe dallova që mbi vetullën e krahut të djathtë kishte vetëm një vrimë në kokë që rridhte pa pushim një curril gjaku. Njoftuam policinë dhe pas pak mbërriti me makinë një djalë që quhet Rashi (mbiemrin nuk ia di ). Të tre vendosëm të plagosurin në makinën e policisë, e cila u nis për në spitalin e qytetit por siç mësova aty në polici gjatë dhënies së dëshmisë ai kishte ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital",- përfundoi rrëfimin e tij 60-vjeçari