E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shënohet Dita e Mësuesit

Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj theksoi rëndësinë e 7 Marsit. “Për ne si Qeveri e Kosovës dhe si Ministri e Arsimit, në historinë e popullit shqiptar, por edhe në historinë e Kosovës, 7 Marsi është ndër ngjarjet më të rëndësishme, të cilat e përbëjnë lëvizjen e fuqishme të popullit tonë. Shkolla shqipe dhe mësuesi në republikën e Kosovës nuk kanë qenë vetëm vatër e dijes, por edhe të nismave dhe lëvizjeve të mëdha historike dhe shndërrimit të Kosovës nga një ide për shtet, në një shtet të cilin sot e gëzojmë”, është shprehur ai.

Ministri Hoxhaj theksoi se tani që jemi në vitin e tretë të pavarësisë së Kosovës, askush nuk mund ta paramendojë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës pa kontributin e fuqishëm që e kanë dhënë mësimdhënësit dhe që e japin edhe sot për këtë shtet.

Pasi që ka përmendur shumë kontribute që kanë dhënë mësuesit gjatë periudha të ndryshme nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë, ministri Hoxhaj tha se Qeveria e Kosovës është e interesuar që ta përmirësojë edhe më tutje pozitën materiale të mësimdhënësit. “Jemi shumë të interesuar që edhe më tutje mësimdhënësit të kenë zhvillim të mundshëm profesional dhe një sistem modern arsimor varet nga ajo se sa mësimdhënësi është i kualifikuar dhe ofron dijen e tij, qasjen e tij, krijon botëkuptime te nxënësit në përputhje me standardet e reja moderne”, theksoi ministri Hoxhaj, ndërsa përmendi shumë të arritura në përmirësimin e pozitës së mësimdhënësve dhe tha se kjo ka ndodhur edhe falë një bashkëpunimi të mirë me SBASHK-un dhe kryetarin e kësaj sindikate, Ali Shabanaj.

Ndërsa, zëvendësministri i Arsimit, Agim Hyseni ka vlerësuar rezistencën e mësimdhënësve gjatë periudhës së okupimit. Ai tha se arsimin e mbajtën gjallë arsimtarët dhe përmes tyre edhe Kosova mbijetoi.

Me rastin e Ditës së Mësuesit, MASHT ka ndarë disa mirënjohje për kontributin e dhënë në arsimimin dhe edukimin e shumë gjeneratave.

Mirënjohje për arsimtarë të dalluar për vitin shkollor 2009/10 u janë ndarë këtyre arsimtarëve: Afërdita Zuna, Advije Mersini, Nezire Curraj, Ajete Dërguti.

Për kontribut jetësor në fushën e arsimit dhe edukimit u është ndarë mirënjohje: akademik Idriz Ajetit, Nepe Jasiqit, Partizan Shuperkës, Sefedin Përgjegjajt, Ramadan Shalës dhe Hajrush Rekës.

Ndërsa për kontributin e dhënë në mbijetesën dhe zhvillimin e arsimit në Kosovë kanë marrë mirënjohje: Fred Van Leevwem – sekretar gjeneral i Organizatës Botërore “Internacionale e Arsimit”, Mary Frutrell – ish kryetare e kësaj organizate, Walter Drescher – kryetar i Unionit të Arsimit të Holandës dhe Andre Dumont nga po kjo organizatë.

Në emër të laureatëve, Sefedin Përgjegjaj, tha se arsimi ka qenë e vetmja hallkë e sistemit të shtetësisë së Kosovës që ka funksionuar ashtu si duhet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›