Faturat e energjisë, PS: Prokuroria të fillojë hetimin
Deputeti Erion Braçe ka akuzuar qeverinë se në bashkëpunim me OSSH-në po grabit qytetarët shqiptarë
TIRANË - Partia Socialiste i ka kërkuar Prokurorisë shqiptare që të nisë hetimet mbi abuzimet që janë kryer nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes me faturat e energjisë elektrike ndaj qytetarëve shqiptarë. Gjatë një konference për shtyp, deputeti i kësaj partie, Erion Braçe, theksoi se grabitja që është kryer me faturat e energjisë elektrike nuk duhet të jetë thjesht një çështje verifikimi, por, sipas tij, kjo çështje duhet të kalojë menjëherë nën hetimin e Prokurorisë për të zbardhur të gjitha abuzimet që janë kryer. "Grabitja me faturat e energjisë elektrike, duke aplikuar çmimin e rritur të energjisë elektrike - me fuqi ligjore nga 1 janari - që në muajin dhjetor, nuk mund të jetë më një çështje në verifikim, për më tepër nga ortakët e monopolit OSSH, ajo duhet të jetë një çështje nën hetim, gjykim dhe ndëshkim. Vjedhja është e provuar nga faturat, përmasa e saj duhet hetuar nga Prokuroria", - tha dje Braçe. Sipas tij, aplikimi i rritjes së çmimeve nuk është një gabim njerëzor, por një akt i qëllimshëm, duke faturuar në mënyrë të padrejtë rreth 1 milionë klientë.
"Grabitja me faturat e energjisë elektrike, duke aplikuar çmimin e rritur të energjisë elektrike -me fuqi ligjore nga 1 janari - që në muajin dhjetor, nuk është një gabim njerëzor, por një veprim i qëllimshëm dhe i vetëdijshëm që ka arkëtuar për llogari të OSSH të ardhura të paligjshme, duke konsumuar veprën penale të vjedhjes së afro 1 milionë klientëve", - u shpreh ai. Braçe artikuloi gjithashtu se zgjidhja që ka ofruar vetë OSSH-ja për këtë çështje nuk mund të kryhet, pasi vetë kjo kompani është e përfshirë në abuzimet me faturat e energjisë. Ai vuri në dukje se Operatori i Sistemit të Shpërndarjes është krejtësisht i politizuar, që kur pranoi kërkesën elektorale të Kryeministrit Berisha për të ulur çmimin e energjisë për efekt elektoral, ndërsa shtoi se qytetarëve shqiptarë duhet t'u kthehet mbrapsht çdo qindarkë që është marrë me pa të drejtë nga OSSH-ja.