Pogradec, gjendet i vetëvarur 37 vjeçari i zhdukur prej muajsh
Ka përfunduar me një tragjedi, humbja në rrethana misterioze prej afro dy muajsh e një shtetasi nga fshati Memlisht në rrethin e Pogradecit. Miço Torra, baba i dy fëmijëve nuk është kthyer në shtëpinë e tij, ndërsa ka dalë si dhe herë të tjera nga data 12 shkurt e këtij viti. Familjarët e tij, gruaja dhe fëmijët, pas kërkimeve të shumta të kryera në mënyrë individuale kanë kërkuar ndihmën e komisariatit të Pogradecit ku kanë denoncuar dhe zhdukjen e të afërmit të tyre.
Policia ka nisur në fakt kërkimet, të cilat kanë rezultuar të pasuksesshme, ndërkohë që e ka shpallur në kërkim Miço Torrën si person i larguar nga shtëpia. Në fakt familjarët e tij gjatë asaj kohe kanë deklaruar në polici se burri ka dalë nga shtëpia për të kryer disa punë bujqësie, duke mos u kthyer më. Por, gjithashtu ata kanë vënë në dukje se ai vuante nga depresioni për shkak të kushteve të vështira ekonomike në të cilat jetonte ai dhe familja e tij. Gjatë paradites së djeshme, policia ka gjetur një person të vetëvarur, me bluzë pambuku, në vendin e quajtur stanet e Omeshit, pak metra larg fshatit Omesh të komunës Velçan në Pogradec. I vetëvaruri nuk kishte shenja dhune në trup, ndërsa mendohet që aktin ta ketë kryer në 48 orët e fundit. Pasi kufoma është çuar në morgun e spitalit të Pogradecit, të afërmit e tij e kanë identifikuar. Policia lokale ka nisur hetimet ndërsa vetëvarja sipas saj është kryer në një stallë bagëtish ku mendohet që i larguari nga shtëpia të ketë qëndruar disa ditë. Gjithsesi është i veshur me mister fakti se ku qëndroi për afro dy muaj 37- vjeçari, i cili i dha fund jetës në rrethana të mistershme.