E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, të verbrit protestojnë për të drejtat, kërcënojnë me grevë urie

Me qindra  të verbër kanë protestuar dje përpara ambienteve të prefekturës së Fierit, duke kërkuar përmirësimin e kushteve jetësore. Ata protestuan në mënyrë paqësore, duke kërkuar më shumë integrim në shoqëri, më tepër angazhim nga qeveria për përmbushjen e kërkesave të tyer. Të verbrit, anëtarë të shoqatës, në kërkesat që parashtruan kërkonin më tepër element jetik duke përmendur si të tillë aksesin në informim, arsimin e integruar, punësim, si dhe përfshirje në aktivitete kulturore e sportive. Ne na ka dënuar zoti, duke na lënë në errësirë të plotë gjatë gjithë jetës sonë. Asnjëherë nuk e kemi parë dritën e diellit por qeveria po na mbyll edhe më keq çdo shteg që na çon drejt jetës normale. Kjo qeveri po na e rëndon edhe më tepër jetesën. Ne kërkojmë që të respektohen të drejtat tona si persona me shikim të munguar. Pushtetarët tanë duhet ta dinë që kjo kategori nuk kërkon shtesë pagese por thjeshtë të mos u nëpërkëmben të drejtat. Në vend që të merrnim 10800 lekë në muaj, kjo pagesë është reduktuar në 8700 lekë. Pagesat e verbërisë janë pagesa më karakter social dhe jo ekonomik dhe indeksohen me pagat minimale. Paga minimale është rritur në 2005 dhe herë të tjera, por nuk është ndjekur ritmi i duhur dhe të verbërve u janë hequr 400 mijë lekë, është shprehur Festim Meta, kreu i shoqatës së të verbërve. Në Fier, aktualisht numërohen më shumë se 700 persona të verbër, të cilët ndihen të lënë mënjanë, pasi qeveria nuk ka planifikuar asnjë qindarkë për strehimin e tyre ashtu siç i ka injoruar kërkesat e tyre për punësim. Ndërkohë, në fjalën e tij kreu i shoqatës së të verbërve ka thënë se shoqata e të verbërve vlerëson faktin se ka një rritje të ndjeshmërisë së shoqërisë dhe institucioneve private ndaj personave të verbër, por arritja e standardeve bashkëkohore që rekomandojnë dokumentet ndërkombëtarë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar kërkon më shumë punë. Ndërkohë, kryetari i shoqatës së të verbërve në Fier tha se shteti shqiptar e ka braktisur këtë kategori dhe kjo duket edhe tek  fati që sot kjo kategori personash po taksohet si çdo qytetar tjetër që ka mundësi të punojë. Ndërkohë, duhet theksuar fati se në Fier ende nuk ka një godinë ku të mblidhen apo të organizojnë aktivitete anëtarët e shoqatës. Ankesat e shoqatës së të verbërve iu drejtuan edhe pushtetit vendor si bashkisë dhe këshillit të qarkut. Protestuesit kanë kërcënuar se pas kësaj proteste, në rast se nuk dëgjohet zëri i tyre, ata do të nisin një grevë pa afat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›