E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ajo mrekulli që ndodh çdo të diel aty, te Pata

Nga Flamur Bërdëllima
E viva! Ky është rituali që ata, figura të jashtëzakonshme të artit, të gazetarisë, e sidomos të sportit mbyllin takimin e të dielave aty tek lokali i thjeshtë, por shumë i dashur për të gjithë i Muhamet Përmetit (Pata). E viva! Më duket se me këtë fjalë të vetme përmblidhet gjithë mushti dramatik i dëshirës së njeriut për të spostuar vdekjen, për ta jetuar jetën, pse jo, njëherë në javë, të dielave, bashkë. Nuk jam në kuadrin e një reportazhi naiv, ku, thjesht të rreshtoj se si bëhen bashkë mjeshtra të merituar sporti si Pata, Njazi Lleshi, Hysen Sharra, Vangjel Koja, Bekush Birçe, inxhinier si Nard Janku, gazetarë si shoku im i shtrenjtë Vladimir Grillo, regjisor si Alfred Bualoti dhe të tjerë personazhe që i kam parë çdo të diel tek lokali i Patës. E viva! E kanë kthyer në një refren që e dëgjova edhe në datëlindjen time për të treguar pa fjalë të mëdha se Erosi, (dashuria për jetën) e ka mbytur Thanatosin (dëshirën për tu larguar nga jeta). Kjo ndodh me njerëz, bashkëmoshatarë të të cilëve e ndjejnë fare pranë fundin e rrugës së jetës. Për këtë, ose rrinë shtrirë gjithë ditën në krevat, ose zihen me nuset e me nipërit, ose merren me thashetheme politike aty te klubi i lagjes. Kurse tek grupi i Patës ka një realitet krejt tjetër. Ndërkohë, krejt të thjeshtë. Mor po edhe ata pinë raki dhe verë, hanë edhe paçe po të doni ta dini, por janë pikërisht këngët që këndojnë, ato që të lejojnë të shohësh apo të lexosh dashurinë e tyre për jetën, për të mos thënë sportivitetin me të cilin presin vdekjen e pashmangshme që një ditë do të vijë edhe për ta padyshim. E kam shpjeguar në një nga esetë e mia se ka jo pak njerëz, shumica e të cilëve vanitozë që jetojnë duke vdekur përditë. Jo në kuptimin e vdekjes së qelizave. Në kuptimin që urrejnë dhe shajnë çdo gjë, që nga speci djegës deri te politika, që nga veshja e një vajze deri tek hyrja në NATO. Ndërkohë, ato mbledhje që organizohen tek Pata kaq natyrshëm, nuk janë një pathyeshmëri hipokrite. Jo mor jo! Shumica e tyre janë gjyshër dhe kosin apo qumështin e blejnë tek po ai dyqan që e blejmë edhe ne. Ajo që duhet përcjellë modestisht është filozofia e tyre e dashurisë për jetën. Kjo dashuri mund të strukturohet brenda teje, por është një mrekulli kur del bashkë me shokë të tjerë në formën e një dëshirori kaq të sinqertë siç është EVIVA!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›