E Diel, 1 Nëntor 2026

Pokeri i fituar i Berishës me ambasadorët

I vetmi person që po ndjek me ankth raundet e votimit presidencial, duket se është pikërisht kandidati Xhezair Zaganjori. Në këto seanca të mbetura, varet fati i mëtejshëm i karrierës të gjykatësit të katapultuar papritur nga mazhoranca në garën presidenciale. Për vetë aktorët kryesorë të politikës dhe diplomatët e huaj në Tiranë, është përcaktuar tashmë se Presidenti i ardhshëm nuk do të jetë një surprizë jashtë mazhorancës. Edhe nëse nuk do të jetë Z.Zaganjori, ky është kushti i vetëm i opozitës për të dhënë votat e saj, emri zëvendësues do të përcaktohet sërish një gjykatës apo diplomat, beniamin i besuar i mazhorancës. Me pak fjalë, çdo mundësi e përfolur deri më sot për bojkotim të raundeve të para nga opozita, duke e quajtur jokushtetues procesin; çdo aleancë e nëndheshme me plangprishësit e LSI për të rrëzuar Qeverinë, apo për zgjedhjen e një kandidature të majtë presidenciale; tashmë duken të pamundura për t’u realizuar. Opozita ka pranuar të përfshihet në një lojë ku rezultati ishte i destinuar të sillte një fitore të mazhorancës, duke iu bindur presionit të faktorit ndërkombëtar, por pa vendosur asnjë kusht paraprak në dobi të saj. Deri më sot të paktën, është bërë publike se e vetmja kërkesë zyrtare e së majtës ishte bllokimi i një Presidenteje si Jozefina Topalli, apo ndonjë tjetër “zgjatimi” të verbër të Kryeministrit. Këtë alarm të opozitës e kthyen në refrenin e rekomandimeve të tyre të gjithë ambasadorët e huaj dhe të dërguarit e Brukselit, duke harruar për një moment se duke u fokusuar vetëm tek ky kriter i emrave të përvetshëm të drejtuesve të lartë të PD-së, anashkaluan çdo garanci tjetër që duhet të sillte procesi i negocimit apo statura e kandidatit të Presidentit të ardhshëm. Në të tilla rrethana, Kryeministri Berisha arriti të luante me mjaft dinakëri politike kartat e tij të pokerit. Deri në momentet e fundit, la të ngritur në këmbë “fantazmën” e Jozefina Topallit, duke zbritur kështu stekën e presionit të ambasadorëve dhe të gjithë faktorit ndërkombëtar për Presidentin e ardhshëm. Vetëm në çastet e fundit, Berisha nxori nga mënga As-in e Zaganjorit, një gjykatësi që të paktën zyrtarisht i ka të gjithë dokumentet e rregullta për një kandidim të tillë, dhe në këtë mënyrë u “mbylli gojën” të gjithë kritikëve vendas dhe të huaj. Në fakt, nëpërmjet heqjes dorë nga emri i Jozefina Topallit, apo ndihmësve të tij të ngushtë në PD, Kryeministri ka arritur të korrë dy rezultate që çojnë ujë në mullirin e tij:
Së pari u dëshmoi ndërkombëtarëve se lëshoi qëndrimin e tij të parë dhe ua plotësoi kushtin që i vendosën për kandidaturën e ekuilibruar;
së dyti, nëpërmjet kandidimit të një gjykatësi të rangut të lartë, por i mikluar nga e djathta, Kryeministri ka në dorë të njëjtën mundësi për të kontrolluar Presidencën edhe pa ngritur më tej staturën e një tjetër nënkryetari të partisë, (Jozefina Topalli apo Ridvan Bode), i cili ashtu si paraardhësi Bamir Topi mund të “rebelohet” pas marrjes së mandatit. Një kandidaturë me staturë të ulët politike, është gjithashtu një garanci e mëtejshme se Presidenti i ardhshëm nuk do ta rivalizojë figurën e Kryeministrit në zhvillimet brenda partisë demokratike, apo aktivitetet e ndryshme ndërkombëtare.
Për të gjitha këto arsye, ka shumë gjasa që mazhoranca të vazhdojë të mbajë të njëjtin qëndrim apo profil kandidature deri në raundin e katërt të votimit. Edhe emri i një tjetër gjykatësi, të sprovuar për besnikëri ndaj të djathtës, i cili mund të hidhet në tryezën e ardhshme të negociatave me të majtën, nuk do të sjellë asnjë ndryshim për pritshmëritë e Kryeministrit, por dhe vetë axhendën e opozitës.
Falë kësaj loje finoke të Kryeministrit për të rritur presionin deri në atë pikë sa çdo lëshim i tij i vogël të quhet një heroizëm, sot ambasadorët e huaj nuk mund të ushtrojnë ndonjë mjet të ligjshëm për të kundërshtuar kandidimin e gjykatësit Zaganjori, qoftë edhe nëse emri i tij nuk u konsultua me opozitën përpara publikimit. Të vendosur përpara gjellës që vetë gatuan, diplomatët po u drejtohen sërish rrugëdaljeve të dëshpëruara, siç ndoshta ishte edhe takimi i dy ditëve më parë i ambasadorit Arvizu me ish-kryeministrin Nano. Tashmë, që vetë politika shqiptare e kaloi debatin në rrafshin e një Presidenti që vjen nga jashtë radhëve të politikës, mbështetja e ndërkombëtarëve për kandidaturën e ish-kryetarit socialist do të ishte një rikthim në të njëjtat llogore qëndrimesh të dështuara të para 24 majit. Ambasadori amerikan në rastin më të mirë është duke tentuar mosdorëzimin përpara AS-it të Berishës me kandidimin e Zaganjorit; në rastin më të keq është duke mos kuptuar drejt situatën në të cilën ndodhet tashmë diplomacia në çështjen e Presidentit konsensual.
Z.Arvizu dhe diplomatët e tjerë në Tiranë duhet ta kuptojnë se brishtësia e pavarësisë së pushteteve në Shqipëri nuk qëndron tek zgjedhja e një presidenti konsensual, apo e një figurë jopolitike, por mbi të gjitha përcaktohet nga vullneti i Kryeministrit për të mposhtur nevojën për t’iu imponuar pushteteve të tjera. Të gjitha përpjekjet për të zgjidhur problemin, duke u përqendruar tek pasojat dhe jo shkaku, pra tek statura e Presidentit dhe jo tek kufizimi i ekzekutivit, nuk do të jenë të suksesshme dhe mund të vendosin në pozitë qesharake edhe axhendat e mëtejshme politike të organizmave të Brukselit dhe Uashingtonit.

(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›