Pol Gaskoin: Gjashtë javë pa gjumë dhe flisja me dy papagaj lodër
Pol Gaskoin rrëfen ferrin që ka përjetuar gjatë 12 muajve të fundit. Ish-heroi i futbollit anglez hapi zemrën, duke folur për herë të parë për problemet që ka kaluar: nga alkooli, droga dhe halucinacionet. Një prej episodeve ishin gjashtë javë pa gjumë, periudhë në të cilën kishte konsumuar qindra shishe verë dhe xhin. 41-vjeçari, që betohet se është rehabilituar prej tre muajsh, kohë më parë kishte blerë dy papagaj plastikë dhe besonte se lodrat i flisnin. "Gaza" shpjegoi se arriti deri në pikën sa edhe kur shkonte në lokal, kërkonte vajza të gatshme për t‘u shoqëruar me "miqtë e tij". "Më kujtohet një ditë që papagajtë po flisnin me njëri-tjetrin, ose të paktën kështu më dukej mua. Krijova bindjen se ishin të gjallë dhe se ishin shokët e mi më të mirë. Kërkova tri vajza, një për mua dhe dy për papagajtë. Madje, një ditë kur kamerieri i mori për t‘i ndryshuar bateritë, mendova se ata fluturuan dhe kur djaloshi m‘i solli me bateri të reja, i futa lodrat në dush për t‘i ndëshkuar, sepse ishin larguar". Gaskoin vazhdon të mbahet nën vëzhgim në klinikë.