Mikael Shumaher, 875 euro Këlnit për blerjen e Podolskit
Mikael Shumaher ka ndihmuar Këlnin, duke blerë një "copë" të Lukas Podolskit. Ish-piloti i Ferrarit, i cili ka fituar shtatë tituj si kampion bote në Formula 1, tifoz i deklaruar i skuadrës që militon në Bundesligë, ka dhuruar 875 euro për transferimin që pritet të realizohet në fund të këtij sezoni. Sulmuesi i Bajernit dhe i përfaqësueses gjermane do të vazhdojë karrierën te Këlni, ndërsa në arkat e bavarezëve do të shkojnë 10 milionë euro. Një lëvizje që i intereson të dyja palëve, duke qenë se Podolski nuk shihet si pjesë e rëndësishme e skuadrës së Klinsman. Shumaher është bërë pjesë e nismës së promovuar nga sajti elektronik "pixel.fc-koeln.de", ku një pjesë e fotografisë së Podolskit, mund të blihet duke shpenzuar 25 euro. Sipas lajmit të publikuar nga "Bild", Shumi ka blerë 35 copëza të imazhit, me kosto të përgjithshme 875 euro. Fotografia është ndarë në 40 mijë copëza dhe nëse të gjitha do të shiten, shifra e grumbulluar është 1 milion euro. Momentalisht, në financimin "online" për merkaton e Këlnit janë mbledhur 96 mijë euro.