Polemikë me Klosin dhe Tufën
Para disa ditësh, i nxitur nga polemika Klosi – Marku Tufa, shkrova një artikull mbi nevojën e rolit kritik të intelektualëve pranë partive. Në shkrim bëja një dallim midis pushtetarëve dhe këtyre intelektualëve, i cili, sipas meje, qëndron në atë se këta, gjithë duke qenë të angazhuar pranë një partie, duhet të ruajnë një distancë kritike; se ndryshe nga pushtetarët që jetojnë shumë me përditshmërinë, kanë për detyrë të jenë ruajtës të vizionit të partisë në terma afatgjatë, të zhvillojnë idetë, ti artikulojnë, të bëjnë edhe kritikën. Së dyti, duke qenë se ekonomikisht jetojnë kryesisht në sajë të punës së tyre dhe jo në sajë të punëve partiake, kjo u siguron edhe më shumë pavarësi mendimi e dinjitet. Pra, pa e denigruar këtë tipologji intelektuali, përkundrazi, duke e konsideruar shumë të rëndësishme ekzistencën e saj, kritika ime ishte se te ne, kjo kategori – ku fusja edhe tre polemizuesit – nuk e kryen misionin e bërjes së politikës sonë më demokratike, më vizionare, më koherente, më të moralshme, më vetëkritike, më dialoguese, më racionale. Më shtyu për këtë fakti se ndërkohë që shoqëria është e bllokuar nga një konfliktualitet shkatërrues midis dy palëve politike – ku rolin e moderuesit dhe të arbitrit, në vend që ta bëjë pjesa më racionale e shoqërisë, e bëjnë ndërkombëtarët, – intelektualët shqiptarë pranë palëve i hedhin edhe më benzinë zjarrit. Në analizën pse ndodh kjo, akuzoja kryesisht mendësinë e pushtetarëve që nuk janë të hapur për kritikë, faktin se dy partitë në pushtet kanë krijuar një frymë klienteliste në rritje, ku po bëhet gjithnjë e më e vështirë, qoftë edhe për të mbijetuar, pa mbështetjen e njërit apo të tjetrit pushtet, por theksoja edhe mungesën e kurajës intelektuale e përgjegjësinë e intelektualëve për këtë. Sa për pozicionin prej nga e shkruaja, mund të them se ishte nga përvoja e atij që e ka parë veten në rolin e mbështetësit të njërës apo tjetrës palë e që, gjithnjë e më i zhgënjyer, është distancuar prej tyre duke iu afruar pozicionit të gazetarit që e gjen shumë të vërtetë thënien e Montanelit, larg atyre gazetarëve që hanë e pinë me pushtetarët!, të cilën ka kohë që e predikoj duke u përpjekur edhe ta aplikoj. Me nuanca dhe pa harruar të theksoj se nuk shkruaja thjesht për këta të tre, u përpoqa që shkrimin ta bëja me mirëkuptim dhe mirëdashjeje, jo me arrogancë dhe as për të thënë se raca ime është më e mirë se raca e tyre.
* * *
Nuk vonoi shumë dhe më erdhën përgjigjet së pari nga Tufa dhe pastaj nga Klosi, që më bënë të rishikoj edhe një herë kategorinë ku i kam futur këta njerëz. Mbeta i çmeritur kur pashë se që të dy refuzonin të shprehnin qoftë edhe një mendim mbi çështjen që kam ngritur. Tufa e thoshte në përgjigjen e tij (vetëm në kllapa), se kjo është e rëndësishme, por ngulmonte me të madhe se marrja e tij për ilustrim si një intelektual i kësaj kategorie ishte një gabim i madh dhe vazhdonte, me stilin e gazetarisë sonë më të rëndomtë, një sërë akuzash kundër meje për të provuar se ky Lubonja, që ngre këtë çështje, sështë ndonjë burrë më i mirë a thua se kjo e fshin rëndësinë e çështjes që kam ngritur dhe e lan Tufën nga përgjegjësitë vetjake. Klosi, nga ana e tij, pasi e përjashtonte edhe ai veten nga kategoria në fjalë duke thënë se është marrë me punëra kulture, jo me politikë, më këndonte një këngë të vjetër, sipas së cilës, kritikat që kam bërë e bëj unë ndaj Ramës burojnë nga fakti se punët e Edi Ramës në politikë janë si simfonitë e Moxartit, kurse ato çka them e shkruaj unë burojnë nga zilia e Salierit, që ska mundur të bëhet një Moxart i politikës si Rama. Them këngë e vjetër, pasi këtë e ka kompozuar disa vjet më parë Klosi me porosi të Ramës, kur unë kritikoja disa punëra, sipas meje të mbrapshta, në Tiranë, dhe e kanë mësuar përmendësh dhe e këndojnë në kor një numër klientësh të Ramës.
Me fjalë të tjera, në vend të debatit që unë e quaj të rëndësishëm mbi kondicionin e intelektualëve pranë partive (për të cilët Klosi në një anë e Marku në anën tjetër përdorin termin taraf e thonë plot gjëra të rënda), pashë një personalizim në shijen më të keqe që në fakt e mbyt debatin mbi çështjen duke i ftuar njerëzit të merren me thashethemet se kush është njëri e kush është tjetri, se sa lekë merr e abuzon njeri e sa tjetri, që të bën të mendosh se këta, më shumë se intelektualë, janë lek-tualë. Është e vështirë të hysh në një polemikë të tillë pa u personalizuar çështja. Aq më tepër kur të akuzojnë për gjëra personale njerëz që vetëm me këto duket se dinë të merren. Duke dashur ti ruhem sa të jetë e mundur këtij meskiniteti, po përpiqem tu jap përgjigje dy polemizuesve, pa gënjyer e deformuar faktet personale, siç bëjnë ata, dhe, mbi të gjitha, në funksion të debatit në fjalë.
Siç e kuptoj unë reagimin e tyre, ajo që i ka prekur më shumë polemizuesit nuk është akuza se janë të lidhur me Berishën apo Ramën, por fakti se unë them se ata, si kategori, kanë gëzuar dhe gëzojnë të mira në sajë të këtyre lidhjeve dhe se frika e humbjes së këtyre i pengon të shprehin mendime kritike brenda grupimeve që mbështesin. E them këtë duke pasur një farë respekti për inteligjencën e kësaj kategorie, sepse përndryshe na mbetet të themi se ata janë militantë të bindur në pagabueshmërinë e liderëve që mbështesin. Por mua më rezulton se këta nuk bëjnë pjesë në kategorinë e atyre për të cilët thuhet falua Zot se sdinë se çbëjnë. Janë dy gjëra pra që duhen ndarë e që ata nuk i ndajnë qartazi: a hyjnë apo nuk hyjnë ata në kategorinë e intelektualëve mbështetës të Sali Berishës dhe Edi Ramës pa fije kritike ndaj tyre dhe, nëse po, siç më rezulton mua nisur edhe nga fakti se në përgjigjet e tyre nuk jepnin ndonjë provë për të kundërtën, kjo kategori e bën këtë për bindje, për interesa materiale, për frikë, për ndjenjë përkatësie në grup apo për çfarë? Lidhur me të parën, pa ua mohuar shkollimin dhe punën individuale, ka shumë fakte që tregojnë se edhe këta nuk do të ishin këta që janë, për mirë edhe për keq, pa lidhjet e tyre me politikën e dy partive kryesore të vendit, respektivisht me liderët e këtyre dy partive. Për Klosin mjaft të kujtoj se erdhi nga Gjermania i katapultuar si drejtor i Radio Televizionit Shqiptar me ndërhyrjen e Edi Ramës te Fatos Nano. Në media është botuar edhe një letër e tij ku i lutej ish-kryeministrit që ti shpejtohej emërimi. Po ashtu, ndonëse ai pretendon se gjatë këtyre dhjetë vjetëve është marrë me punëra kulture dhe jo me punën e rëndomtë të politologjisë, siç më përqesh mua, nga sa di unë, tre libërthat e vetëm që ka me autorësinë e tij i ka politologji, madje i fundit është ai për Gërdecin, ku demaskon korrupsionin e klasës sonë politike. Shto pastaj edhe artikujt e protestat e shumta për politikat ambientale, për monumentet e kulturës si dhe shkrimet e shumta që ka botuar në gazetën Shekulli kundër Sali Berishës, në mbrojtje të Edi Ramës e mund të arrish lehtë në përfundimin se tash e gjithmonë ky nuk ka qenë thjesht e vetëm një akademik, siç pretendon, dhe aq më mirë.
Përsa i përket Tufës, kur e futa tek intelektualët pranë PD-së, kisha parasysh disa gjëra: faktin se ai u shfaq dukshëm pranë PD-së kur u bë një nga anëtarët e KOP-it të Sali Berishës për çështjet e arsimit e kulturës, aq sa, me sa kujtoj, ka dalë në debate politike në prag-zgjedhjet e vitit 2005 përballë ish-ministrit socialist të Kulturës, Klosi; qenien e tij kryetar i Këshillit të Radio Televizionit; (ai thotë se është zgjedhur nga po ai Parlament i djathtë që më zgjodhi edhe mua në vitin 2005, por për këtë do të flas më poshtë.); si dhe faktin që qysh kur ka marrë PD-ja pushtetin, ai më rezulton thuajse çdo vit o fitues çmimesh letrare të Ministrisë së Kulturës, o në jurinë që jep këto çmime. Nuk po përmend këtu numrin e pafundmë të shkrimeve që ka bërë kundër Edi Ramë
