E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thithja e trurit deri në tharje

Nga Eustrat Zhupa

Rastësisht dëgjova në emisionin e lajmeve se është bërë një konferencë për arsimin e lartë. Temat e trajtuara aty më ngacmuan dhe njëkohësisht më stimuluan për të shprehur mendimet e mia.

Dëgjova fjalën e kryeministrit, që shpaloste politikat për “thithjen e trurit” dhe nismat për mbështetjen e studentëve shqiptarë më të mirë në studimet e tyre nëpër botë. Padyshim këto janë fjalë dhe qëllime të larta. Kjo është e vetmja rrugë për ngjalljen e arsimit të lartë në Shqipëri.

Në fakt, kryetari i qeverisë i ka përmendur këto fjalë edhe tre vjet më parë, kur unë u ktheva në Vlorë për të ndihmuar sadopak arsimin në qytetin tim të lindjes. Orientimi politik për kthimin e “trurit” vijon prej vitesh tashmë. Besoj se gjithë intelektualët e përgëzojnë këtë tendencë. Edhe unë i bashkohem pa rezerva këtij qëllimi fisnik.

Nga ana tjetër, ajo që duhet t’i shqetësojë vazhdimisht intelektualët dhe dashamirësit e arsimit është perceptimi i këtij orientimi jashtë Kryeministrisë. Qëllimet dhe fryma e fjalëve të kryetarit të qeverisë, perceptohen keq nga strukturat përgjegjëse për arsimin dhe zbatohen akoma më keq. Të shkolluarit jashtë vendit duhet të përballen me burokracira pa fund, që shkollimi i tyre të “njihet” edhe nga Ministria e Arsimit. Procedurat parashikojnë që edhe studimet e doktoraturës të kryera jashtë Shqipërisë të shqyrtohen nga një grup njerëzish, që në shumicën e rasteve nuk janë “doktorë shkencash” në atë fushë. Këta burokratë kërkojnë të vlerësojnë edhe gjithë aktivitetin shkencor dhe botimet që janë bërë në kuadër të studimeve për doktoraturën. Nuk mendoj se ky është reflektimi i frymës së fjalëve të kryeministrit, përkundrazi, kjo çon në dekurajim dhe cfilitje të “trurit”. Ndonjëherë këto duken si ato eksperimentet famëkeqe me trurin e njerëzve, që bëhen për të provuar rezistencën në kushte ekstreme.

Nëse do të kalojmë në një nivel më të ulët, nuk e di nëse universitetet publike kanë parashikuar ndonjë procedurë për “thithjen e trurit”. Njëherazi, nëse do të bëja një bilanc për Universitetin e Vlorës, të cilin e njoh mirë, të dhënat janë katastrofike: një rektor i dorëhequr nga presionet politike, një zv/rektor i persekutuar nga ministria, gjykata dhe prokuroria, një dekan i zgjedhur i sulmuar nga rektori aktual, që fatkeqësisht gjen mbështetje dhe frymëzim edhe në ministrinë përkatëse.

Të gjithë ata që përmenda më sipër janë “viktima” të “thithjes së trurit”. Këto janë fakte kokëforta, që tregojnë se truri nuk është i pranueshëm në sistemin arsimor. Jam i sigurt se ka edhe raste të tjera në Shqipëri. Ndoshta përsëris fakte publikisht të njohura, por intelektualët e vërtetë nuk besoj të më mërziten. Këto zhvillime nuk janë pasqyrimi i orientimeve politike, që dëgjova dje nga kryetari i qeverisë.

Nëse do të vazhdohet kështu, arsimi i lartë do të shkojë gjithmonë e më keq. Një shembull flagrant dhe i freskët i kësaj tendence është e tatëpjeta e rrezikshme që ka marrë Universiteti i Vlorës. Pas një hopi cilësor të këtij Universiteti, sidomos në kuadrin e informatizimit të aktiviteteve, tashmë gjërat po precipitojnë. Nëse deri para pak muajsh grupi i IT ishte grupi më dinamik dhe më karakterizues i universitetit, tanimë detyra më e rëndësishme e grupit është si të bllokohet përdorimi i “Facebook” nga stafi administrativ. Regjistrimi i lehtësuar “online” i studentëve tani i ka lënë vendin regjistrimit me copa letrash. Në kuadrin e kësaj kryqëzate, po sulmohem edhe unë si i vetmi dekan i zgjedhur dhe si i vetmi “doktor shkencash”, megjithëse akoma i “panjohur” nga Ministria. Brenda një muaji kam marrë një “vërejtje”, një “pezullim” dhe një “pushim nga puna”. Këto arritje me siguri i ka zili cilido “refugjat akademik”, që sfidon fatin në vendin e tij.

Të gjitha këto zhvillime dhe shumë të tjera, që nuk po i rendis në këtë shkrim, tregojnë se si sistemi i lufton prurjet e reja. Ai ka mënyrën e tij, të heshtur, larg ekraneve të televizionit, por funksionon në mënyrë efikase. Përshtypja ime është se burokratët e arsimit të lartë e kanë kuptuar me mënyrën e tyre “thithjen e trurit”. Si gjithmonë, institucionet heshtin duke legjitimuar këtë neofobi të theksuar.

Unë i ftoj të gjithë intelektualët e vërtetë të thonë fjalën e tyre, edhe nëse u duhet të flasin kundër rrymës. Kjo “thithje e trurit”, që në fakt bëhet me “shiringë” deri në përtharje, është rrënimi përfundimtar i shpresës së këtij vendi. Eshtë e kuptueshme pse shpeshherë ata që vijnë nga jashtë vendit dëgjojnë pas krahëve “Erdhën këta trutharët!”.

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Teknike. Universiteti i Vlorës “Ismail Qemali”

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›