E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kultura e denigrimit politik

Ati i denigrimit nuk bën pjesë në familjen e akteve që sjellin kulturë. Në fjalorin e gjuhës shqipe “denigrimi” trajtohet si “fyerje, shpifje, përgojim dhe sjellje e turpshme”. Në modelin kulturor të periudhës komuniste “denigrimi” shihej si akt ligjor dhe administrativ, përmes të cilit shteti, shoqëria dhe partia distancohej dhe luftonte kundër “armiqve të jashtëm e të brendshëm”, kundërshtarëve të regjimit, disidentëve dhe të përndjekurve politikë. Sipas këtij mentaliteti çdo shtetas që është i padëshirueshëm për vijën politike të partisë–shtet, është njëherazi target për t’u denigruar moralisht dhe fizikisht, personalisht dhe familjarisht. Qytetari i thjeshtë, nëpunësi, mësuesi, shkrimtari, figurat fetare, shkencëtarët, disidentët liberalë apo edhe heronjtë komunistë të luftës, - sapo përfshiheshin në lista e procese përndjekje politike, individualisht ose kolektivisht etiketoheshin si të padëshiruar, armiq të popullit dhe menjëherë mbi emrat, aktivitetin apo familjen e tyre binin lumë sharjesh, fyerjesh, etiketimesh dhe akuzash. Nga ana tjetër, të njëjtin mentalitet denigrues regjimi ndoqi edhe ndaj çdo figure politike e shtetërore të periudhës parakomuniste, që nga nënshkruesit e Pavarësisë 1912 dhe deri tek Mbreti Zog dhe bashkëpunëtorët e qeverisjes së tij. E njëjta praktikë u ndoq edhe për “armiqtë e jashtëm”, fillimisht SHBA dhe Britaninë, më pas edhe Jugosllavinë, BRSS, Kinën dhe shtetet përkatëse satelite.
Me këtë traditë të pasur denigruese dhe njëherësh me një përvojë minimale të sjelljes demokratike u përball shteti e shoqëria shqiptare në fillim të viteve 90-të. Ndarja e qytetarëve në komunistë apo demokratë nuk solli ndarjen e qytetarëve sipas ideve, bindjeve, platformave dhe programeve alternative. Përkundrazi. Ndarja ishte bardhë e zi, për çdo demokrat kundërshtari politik ishte simbol i të keqes, për çdo socialist rivalët politikë ishin po ashtu, simbol i të keqes. Palët shkuan aq larg në gjuhën e tyre përjashtuese dhe denigruese, saqë mbështetur vetëm në kriterin e përkatësisë partiake, shoqëria u nda apriori në dy pjesë, pjesa e mirë dhe pjesa e keqe, pjesa europiane dhe anti-europiane, pjesa e ndershme dhe ajo kriminale. Kjo sjellje apolitike dhe parademokratike pritej për një vend të izoluar që brenda pak javësh kaloi në sistem të hapur demokratik. Por pritshmëria mbetej e kufizuar në disa muaj (shembulli hungarez) në pak vjet (shembulli polak) dhe jo në disa dekada (shembulli shqiptar).
Nëse hapim mediat dhe arkivat politike e publike të 10 apo 20 viteve më parë shohim në pasqyrë të tashmen me kokë poshtë: demokratë që mbushin sheshet e Shqipërisë me thirrjen kundër modelit të padrinove dhe mafiozëve të majtë dhe që sot bashkëqeverisin me të djathtën me etiketën e reformatorit, liberalit, modelit politik; socialistë që mbushnin sheshet me thirrje kundër spekulantëve apo kameleonëve politikë demokratë, e që sot janë pjesë e tryezës apo koalicionit opozitar të së majtës si reformatorë, shpresa e vetme për ndryshim; politikanë kritikë perëndimorë që i akuzonim për lidhje intime apo biznese abuzive dhe që sot na prezantohen si simbole të BE-së e Perëndimit; dhe anasjelltas, simbolet e djeshme perëndimore që sot, për shkak se kritika e tyre nuk na pëlqen, i trajtojmë si antishqiptarë dhe internacionalistë. Një pjesë e shtypit ekziston vetëm për të shërbyer si tabelë qitjeje ndaj çdo zëri kritik, për të fyer e hedhur baltë mbi çdo institucion apo individ me mendim ndryshe nga urdhërdhënësi i radhës, një trashëgimi tipike e kohës së fletërrufeve politike të viteve 60-70.
Kriteri i vlerësimit mbetet i njëjtë: kush është pro është engjëll, kush nuk është pro është djall. Për pasojë, cilido që u ndodh në anën tjetër elektorale, cilido që kritikoi, cilido që doli nga reshti apo që pati kurajë të mos jetë dakord, dje e sot vijon të jetë viktimë e fushave denigruese publike. Hierarkia e vlerave dhe sjelljes morale, premtimi për garë idesh e alternativash, sistemi moral i respektit për shtetin, institucionet dhe simbolet kombëtare, u harruan për t’u zëvendësuar me rotacion nga sjellje parapolitike denigruese ndaj kujtdo, president a qytetar, politikan a zyrtar, ish i përndjekur politik a shkrimtar, - “faji” i vetëm i të cilëve është mendimi i lirë, mendimi qytetar, jashtë natyrës së verbër militante dhe servile të liderit respektiv.
Dy dekada pas rënies së komunizmit dhe eksperimentimit me rreth 17 procese zgjedhore politike, shumëçka ka ndryshuar, por kurba e sjelljes politike ka mbetur e njëjtë. Sot politika, media, jeta publike dhe qytetare vijon të jetë po aq e polarizuar dhe përjashtuese për sjelljen liberale, sa ishte në fillim të tranzicionit. Debati politik është aq i polarizuar saqë dy palët në debat nuk pranojnë mendimin ndryshe, nuk lejohet kritika, dhe si dikur, kush është asnjanës, i zhgënjyer ose i distancuar nga palët, automatikisht denigrohet duke u etiketuar si i palës tjetër. E provoi Ismail Kadare të thotë diçka ndryshe dhe një valë sulmesh denigruese në politikë dhe median e saj gati sa nuk e barazuan atë me diktatorin komunist. E provuan të flasin emra të njohur civilë, akademikë dhe historianë, studiues të politikës dhe diplomatë të huaj, por të gjithë u ndodhën dhe ndodhen nën terrorin e denigrimit mediatik e politik. E provuan institucionet e pavarura të flasin në emër të Kushtetutës dhe ligjit dhe ndaj tyre u lëshuan valë akuzash e fyerjesh, të padenja për tu cituar. E provuan të flasin komisionerë e politikanë të lartë europianë e amerikanë, por ata u ndeshën me fjalorin fyes e denigrues edhe në vetë selinë e tyre në Bruksel.
Kultura e denigrimit politik është kthyer në institucion, madje dominues mbi kulturën institucionale. Shumica qytetare ndjehet e kërcënuar prej saj, pakica e posedon, e ushtron dhe e përdor për të sunduar mbi shumicën. Janë të njëjtët individë, me të njëjtat sjellje, me të njëjtin mentalitet, të cilët ushqejnë e mbajnë në këmbë sistemin e denigrimit politik në publik e media, në internet e miting, - si rruga e vetme për të mbajtur të pacenuara privilegjet edhe postet personale. Ata e pranojnë demokracinë si koncept, por nuk e aplikojnë në praktikë; ata flasin për Shqipërinë europiane, por imponojnë e ushqejnë një sistem bindës e të përulur para fronit të tyre; ata thonë se janë në politikë për të shërbyer por me politikën e tyre kanë krijuar modelin e sundimtarit suprem dhe popullit shërbëtor; ata që duhej të ishin shpresa janë kthyer kështu në pengesë dhe kërcënim për të ardhmen tonë.
Shumëkush dorëzohet e thotë: Kjo është Shqipëria. Në fakt, kjo nuk është e nuk mund të jetë Shqipëria që meritojmë dy dekada pas rënies së komunizmit dhe dy vjet pas anëtarësimit në NATO. Në jetën tonë të përditshme takojmë e dëgjojmë disa dhjetëra e qindra zëra ndryshe, zëra qytetarë, të rinj studentë e të diplomuar jashtë, profesionistë e intelektualë liberalë e kurajozë, zyrtarë model në sjellje dhe qytetarë që mendojnë më shumë për vendin sesa fitimin privat. Ata janë Shqipëria reale e publike që ne kërkojmë, duam të krijojmë dhe meritojnë përgjegjësi për të ardhmen, por, që fatkeqësisht për momentin ata janë e vijojnë të jenë në periferi të vendimmarrjes, pa mundësi fjale dhe garanci të plotë për votën, pa të drejtë ndikimi në sistemin politik dhe përmes kulturës së sjelljes politike, kontingjent i gatshëm për tu etiketuar e denigruar nga ata që janë në politikë në emrin e votës tonë, nga ata që marrin vendime në emër të sovranitetit qytetar. Gjithsesi, ata janë dhe mbeten shpresë e madhe për modelin e qytetarit aktiv; qytetarit që guxon, mendon e flet i lirë; një brez i ri në mentalitet që është i gatshëm të zëvendësojë kulturën e denigrimit politik me kulturën e respektit për tjetrin, të garës së ideve dhe konkurrencës së ndershme politike.
*Mendimet e shprehura nga autori janë personale.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›