E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policët e shkarkuar çojnë Hysni Burgajn në gjykatë

TIRANË- Policët e shkarkuar nga detyra me moti´vacionin se nuk mbrojtën komisariatin e Kamzës nga sulmi që i bënë në korrik 2011 pjesëtarët e familjes Halili, nuk kanë qëndruar duarkryq, por kanë vendosur t’i kundërpërgjigjen kreut të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj me padi në gjykatë.

Tetë prej uniformave të përjashtuar nga radhët e policisë, kanë vendosur t’i drejtohen gjykatës së Tiranës, duke kërkuar shfuqizimin e urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pasi e konsiderojnë si haptazi të paligjshëm.

Efektivët e policisë, me gradat nënkomisar, inspektor dhe nëninspektor kërkojnë nga gjykata që veç riveshjes me uniformën blu, të detyrojë Drejtorinë e Policisë së Shtetit, t’i paguajë për të gjithë kohën e qëndrimit pa punë, pasi sikurse pretendojnë përjashtimi i tyre është në kundërshtim të hapur me ligjin.

Ish-policët Sejdi Qejvani, Pal Pjetërgjoka, Astrit Cani, Bujar Lamaj, Nikollë Bazhella, Flamur Çela, Agron Kapo dhe Edmond Noka kërkojnë ‘shfuqizimin e vendimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për “Përjashtimin nga Policia e Shtetit” si dhe kthimin në detyrë dhe pagesën për kohën e qëndrimit pa punë, si pasojë e këtij akti administrativ të paligjshëm’. Gjithashtu kërkojnë dhe dëmshpërblim për vjetërsi në punë.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në Gazeta Shqiptare)
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›