Policët kërcënim hajdutëve: Paratë ose ju arrestuam
Në përgjimet që posedon prokuroria, të akuzuarit dëgjohen tek iu kërkojnë vjedhësve paratë, çdo fundjavë
Në momentin e ndërhyrjes së SHKB-së dhe Policisë, një nga agjentët hodhi paratë, tjetri tentoi të përfshinte kolegët që e arrestuan
TIRANË- "Erdhi data, do jepni lekët apo t'ju fusim brenda". Me këtë fjali dy agjentët e krimeve të Komisariatit nr.3 të kryeqytetit, tashmë të arrestuar, ia drejtonin çdo fundjave "hajdutëve" të xhepave dhe çantave nëpër linjat urbane, nga të cilët përfitonin një tarifë javore prej 10 mijë deri 15 mijë lekë të reja. Kjo shumë, sipas burimeve nga grupi hetimor i njësisë së task-forcës pranë prokurorisë së kryeqytetit, merrej nga dy agjentët Preng Froku dhe Besnik Preni çdo fundjavë nga rreth 15 hajdutë të zonës së tyre, që njiheshin tashmë nga oficerët e policisë si kontingjent krimi. Këto burime konfirmuan gjithashtu, se dyshohet se kryeinspektori Frroku dhe inspektori Preni, përveç të mirave materiale që përfitonin nga hajdutët, herë pas here grabitësit i kanë dorëzuar në mungesë të parave edhe sende të ndryshme me vlerë, si orë, celularë apo sende të tjera të çmuara. "Hetimet ndaj kryeinspektor Preng Frrokut dhe inspektor Besnik Preni që të dy me detyrë ndihmës specialistë në Seksionin Kundër Krimeve ndaj Pronës në Komisariatin e Policisë nr.3 kanë filluar që nga dhjetori i 2009. Këto hetime, kanë filluar mbi bazën e kallëzimit të një banori të zonës, i cili kishte rënë dy herë pre e vjedhjes nga hajdutët e linjës së urbanit. Ky kallëzues, në vjedhjen e parë ndaj tij i ishte drejtuar agjentëve të zonës, por, këta edhe pse kishin marrë kallëzimin dhe identifikuar autorin çuditërisht nuk kishin bërë asnjë përpjekje për të arrestuar "hajdutin". Më pas në vjedhjen e dytë ndaj po këtij banori, ky i fundit nuk i ka besuar më agjentëve të zonës, duke iu drejtua me ndihmën e një punonjësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit njësisë së task-forcës pranë prokurorisë, e cila në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm pranë Drejtorisë së Policisë në Tiranë kanë filluar hetimet"-thuhet nga prokuroria. Gjatë kësaj kohe, dy agjentët janë mbajtur nën vëzhgim deri ditën e arrestimit më 6 prill 2010 ku janë kapur në flagrancë pas marrjes së 15 mijë lekëve të reja nga dy "hajdutë" xhepash dhe çantash. Përveç këtij rastit të flagrancës, sipas akuzës, është provuar gjithashtu se agjentët edhe me datën 30 mars kanë përfituar po këtë shumën e 15 mijë lekëve të reja nga dy "hajdutë" të tjerë të zonës. "Në momentin e arrestimit, njëri nga dy agjentët e arrestuar ka tentuar të fshehë paratë e marra nga "hajdutët" duke i hedhur ato brenda ambientit të makinës së përbashkët të shoqërimit të tyre. Por, që kjo hedhje është pikasur nga një "koleg" i tij i cili ka lajmëruar eprorët për këtë veprim. Ndërsa, të arrestuarit tjetër nuk i janë gjetur para në xhep, pasi mendohet se ai i ka hedhur në momentin që ka parë se drejt tyre po afrohej furgoni dhe makinat e "kolegëve"-thuhet nga burimet e prokurorisë. Sipas tyre, tashmë përveç provave të ndryshme materiale, janë siguruar edhe dëshmitë e katër "hajdutëve" të cilët kanë pranuar se kanë paguar lekët tek dy efektivët e policisë, kryeinspektorit Frroku dhe inspektorit Preni. Ndaj ish-punonjësve të Komisariatit nr.3 prokuroria tashmë ka ngritur dyshimet për kryerjen e veprave penale të "Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "shpërdorim të detyrës" në bashkëpunim. Dy ditë më parë, po mbi bazën e këtyre dyshimeve Gjykata e Shkallës së Parë me kërkesë të prokurorit të çështjes Gentian Osmani, vleftësoi të ligjshëm arrestin në flagrancë ndaj tyre dhe i caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve.
TË ARRESTUAR:
Kryeinspektor Preng Frroku, 43 vjeç, ndihmës specialist në Seksionin Kundër Krimeve ndaj Pronës në Komisariatin e Policisë Nr. 3
Inspektor Besnik Preni, 34 vjeç, ndihmës specialist në Seksionin Kundër Krimeve ndaj Pronës në Komisariatin e Policisë Nr. 3