Policët s’e kishin ditur rrugën për veri

Ia kishin mësyrë veriut me urdhër të komandantit të tyre A. D., në mesditën e 26 korrikut të vitit 2011. Por, policët e njësisë ROSU në Mitrovicë nuk e kishin ditur saktë as rrugën që të shpie për në atë zonë. Megjithatë ishin nisur ani pse nuk kishin qenë të përgatitur as me helmeta.
Kështu, nuk kishte qenë i përgatitur as polici, që në mesditën e 26 korrikut ia kishte mësyrë veriut me veturën që po e drejtonte polici tashmë i ndjerë Enver Zymberi. Edhe ky polic emri i të cilit është i njohur për redaksinë, është pjesë e procesit gjyqësor për zbardhjen e vrasjes së policit Zymberi.
Në deklaratën e tij të dhënë në hetuesi, një kopje të së cilës e posedon gazeta zëri, ai tregon për fjalët e fundit që kishte folur me Enver Zymberin. Dhënësi i kësaj deklarate, në ditën e aksionit kishte qenë ulur në karrigen e pasme të makinës që po e drejtonte Zymberi, i cili nga të shtënat në një distancë shumë të vogël është qëlluar për vdekje gjatë këtij aksioni të qeverisë për shtrirjen e sovranitetit në atë pjesë të Kosovës./Indeksonline/