Sot rundi i shtatë i bisedimeve Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq do të takohen për të shtatën herë në Bruksel me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve. Dialogu po mbahet me ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton dhe mbështetje të SHBA-ve. Ky rund i bisedimeve cilësohet vendimtar.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dje ka deklaruar se Serbia do të detyrohet të pranojë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Serbia ende refuzon por jemi me shpresë së Serbia do të detyrohet që të pranojë marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë’, ka thënë Thaçi.
Kurse, Komisionari për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule tha dje në Prishtinë se ato që diskutohen mes kryeministrave të dy vendeve janë çështje komplekse andaj edhe vendimet janë të vështira.
Kryeministrat ai i Kosovës dhe ai i Serbisë, takohen në Bruksel, në përpjekje për gjetur një formulë që do t’i kënaqte të dyja palët rreth krijimit të një mekanizmi për serbët, në komunat ku ata janë shumicë, si dhe normalizim të raporteve ndërmjet dy shteteve.
Arritja e një pajtimi historik midis dy vendeve ka rëndësi si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, që synojnë integrimin në Bashkimin Europian dhe në strukturat veriatlantike. /Indeksonline/