Policët thyejnë xhamin e makinës, për një qen pelushi
Dy policë kanë thyer xhamin e një makine për të shpëtuar një qen për të cilin menduan se po asfiksohej, duke zbuluar më pas se ai ishte prej pelushi, 6 eurosh. Policët kishin menduar të ndërhynin për të shpëtuar kafshën që po flinte, pasi ishin lajmëruar nga një kalimtar. Kur kafsha nuk po lëvizte, ata kishin thyer xhamin e makinës Mercedes coupe me frikën se kafsha po asfiksohej nga temperatura 18 gradë C. Pronari i makinës, Gordon Uilliams, 80 vjeç, ishte kthyer në makinën e tij ku kishte gjetur xhamat e thyer me një shënim: I thyem xhamat e makinës për shpëtimin e një kafshe. Më pas policia ra dakord të paguajë dëmin. Uilliams, nga Mensfild, Britani, tha për The Sun se ata duhet të jenë ndjerë si idiotë. Ndërsa policia ka komentuar se telefonata u bë nga një kalimtar me qëllim të mirë. Ky është një shembull i mirë për të treguar se shoferët duhet të mendojnë se çfarë lënë në makinat e tyre.