E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli në Shkup, polemika: Fjalimi, nacional-romantik

Topalli e Gruevski dje në Shkup

Akademikët maqedonas, kundër fakteve historike të kryeparlamentares.

Fjalimi i kryetares së Parlamentit shqiptar, Jozefina Topalli, në Kuvendin e Maqedonisë ka nxitur debate të reja në vendin fqinj, ku Instituti Maqedonas i Historisë i ka cilësuar faktet e paraqitura nga zonja Topalli si keqpërdorime nacional-romantike të saj. Në fjalimin e gjatë të zonjës Topalli, ku flitet për marrëdhënie të mira fqinjësore, për miqësi të hershme mes popullit të Maqedonisë dhe atij shqiptar, si dhe mbi mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, ajo që u ka bërë përshtypje mediave dhe historianëve maqedonas ka qenë vetëm paragrafi që flet për çlirimin e Shkupit nga ushtria otomane, ku shqiptarët kanë luajtur rolin kyç. Duke komentuar lidhjet historike mes dy popujve, zonja Topalli është shprehur: Sivjet, ne shqiptarët festojmë 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, festojmë 100-vjetorin e flamurit tonë. Në këtë përvjetor kujtojmë me respekt dhe nderim kontributin që dha popullsia e kësaj treve në çlirimin nga sundimi osman. Ishte pikërisht këtu, kur në shkurt 1844, 10.000 kryengritës nën drejtimin e Dervish Carës e çliruan Shkupin dhe paraqitën kërkesën e parë për autonomi. Që nga ajo kohë, Shkupi, Manastiri dhe Dibra u bënë ndër qendrat kryesore të lëvizjes shqiptare për çlirim kombëtar, është shprehur kryeparlametarja. Por kjo deklaratë nuk u ka pëlqyer aspak akademikëve në Maqedoni, të cilët në fakt deri tani me historitë dhe enciklopeditë e botuara kanë treguar dëshirë për të shtrembëruar historinë e popullit shqiptar dhe rëndësinë e tij në rajon. Instituti Maqedonas i Historisë i ka kundërshtuar faktet e paraqitur nga zonja Topalli dhe ka deklaruar se Dervish Cara ishte vetëm një shërbëtor i turqve. Këto deklarata janë vetëm keqpërdorime nacional-romantike të historisë për qëllime politike, thuhet në reagimin e Institutit në Shkup.

Takim me Kryeministrin e Presidentin
Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoni, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u prit nga Presidenti Gjeorgje Ivanov. Ai e cilësoi vizitën si shenjë të lidhjeve të ngushta që dy vendet kanë me njëri-tjetrin. Gjatë historisë, vendet tona kanë qenë pa kufij dhe sot këto kufij, përmes bashkëpunimit ekonomik, lëvizjes së lirë të njerëzve dhe bizneseve, i kemi shndërruar në kufij të parëndësishëm e jo domethënës, tha Ivanov. Para këtij takimi, Topalli u takua edhe me Kryeministrin Nikolla Gruevski.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›