E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polici e hajduti gjuhen me armë mes veti

Në fshatin Xërxë të Rahovecit ka ndodhur një shkëmbim zjarri në mes të një të dyshuari të armatosur me kallashnikov dhe një polici të Policisë së Kosovës. Zëdhënësi i PK-së në Prizren, Hazir Berisha njoftoi se i dyshuari kishte hyrë në pronën familjare të policit.

“Në momentin kritik polici ndodhej në shtëpi dhe kishte dalë në oborr me ç’rast kishte vërejtur se dikush kishte hyrë në shtëpinë e vëllait të tij, i cili është në botën e jashtme. Në çastin kur polici i afrohet shtëpisë për të parë se ç’po ngjet, i dyshuari, duke parë se do të kapët në flagrancë, ka filluar të shtënat nga arma kallashnikov në drejtim të policit, i cili i është përgjigjur kërcënimit duke përdor armën zyrtare të llojit pistoletë 9X19 mm”, tha Berisha, transmeton PrizrenPress.

Sipas tij, nga ky shkëmbim i zjarrit nuk ka persona të lënduar. “Forca të shumta policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë një seri aktivitetesh operative hetimore për të kapur të dyshuarin i cili supozohet të ketë ikur përmes arave të fshatit. Për hetimin e rastit, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit”, tha ai.

Sipas tij, provat materiale të mbledhura nga vendi i ngjarjes do t’i kalojnë Prokurorisë për procedura të më tejme. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›