E Shtunë, 31 Tetor 2026

Remi: Deklarata e Demaçit mesazh për unitet

(E plotësuar) Ish-komandanti i UÇK-së në Zonën e Llapit, Rrustem Mustafa–Remi ka deklaruar se mesazhi i Demaçit, dhënë një ditë më parë, ka qenë për t’u sjellë si shqiptarë, e jo për të mbajtur bajrakun e lokalizmave. Mustafa ka shkruar në rrjetin social ‘Facebook’ se Demaçi ka qenë udhëheqës i luftës për liri për 50 vjet.

“Deklerata e Demacit është ndarë një pjesë nga tërësia, ai sikur bënë thirrje tek të tjerët që të mos sillen si udhëheqës fshatrash por të dalin nga lojërat lokale e grupore dhe të punojnë me mirë dhe më drejtë për Vendin si SHQIPËTAR... Luftën... nuk e kemi dashur asnjeri nga ne, AS UNË, por gjatë kohës së luftës Zona Operative e LLAPIT në tërë REGJIONIN E PRISHTINËS për mrekulli dha mundin për LIRI duke mos lejuar qarje USHTARAKE APO POLITIKE. Të gjithë ishim bashkë... Adem DEMAÇI udhëhoqi per mrekulli...i lumtë atij dhe të gjithëve afër që i kishte”, ka shkruar Mustafa në "Facebook".

-----------------------------------

Një ditë pas deklaratës së Adem Demaçit për media se “Llapianët nuk e donin luftën”, kanë reaguar luftëtarët e zonës së Llapit.
Në emër të ushtarëve të Llapit ka reaguar bashkëluftëtari i Zahir Pjazitit, Nazmi Ajeti.

Ai ka thënë se organizimet e para të armatosura kanë filluar në Llap.
“Me gjithë respektin që e kam për bacën Adem duhet t’i them se armatimin e parë për luftën e UÇK-së e kanë futur në Kosovë djemtë e Llapit. 131 dëshmor i ka Llapi”, ka thënë Ajeti.

Ai ia ka rikujtuar Demaçit se njeriu i parë që filloi luftën qysh në vitet e 90-ta ishte Zahir Pajaziti në zonën e Llapit. “Kur i kemi eliminuar paramilitarët e regjimit të Serbisë që i rrihnin dhe vrisnin qytetarët e Llapit, dikush thoshte se po i vret CIA e dikush thoshte se po vriten në mes vete”, ka thënë Ajeti për Standardi.info

Ajeti ka shtuar se “zona që ka rezistuar më së shumti në Kosovë është Llapi që ka pasur beteja të ashpra. Madje jemi bombarduar edhe me armatimin më të rëndë që e ka poseduar Serbia në atë kohë, avionët Miga kanë bombarduar zonën e Obraqnës dhe të Llapashticës edhe prapë kemi rezistuar”, tha ai./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›