Polici edhe për ilaçet në treg
Veç Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, tregtarët e ilaçeve do të kenë edhe një tjetër “polici” mbi kokë. Qëllimi është t’i sigurohet pacientit cilësi e mirë barnash, medikamente të kontrolluara, si dhe për të pasur një informacion më të detajuar për sa i takon origjinës së ilaçeve që tregtohen sot në vend dhe konsumohen nga qytetarët e pacientët shqiptarë.
Dje është bërë publike për herë të parë vendimi që ka marrë Ministria e Shëndetësisë për të nisur nga kontrollot e menjëhershme lidhur me cilësinë e produkteve farmaceutike në tregun e barnave. Ministri Petrit Vasili, me një urdhër të posaçëm ka kërkuar ngritjen e një Task Force për kontrollin e nivelit të barnave, në të gjithë territorin e vendit, në mënyrë të veçantë në Tiranë.
KontrolliKonkretisht Task Forca do të kontrollojë cilësinë dhe origjinën e barnave që janë në treg. Task Forca do të fillojë funksionin javën e ardhshme, duke nisur nga dita e hënë, në mënyrë të pandërprerë. Në shërbim të saj do të jetë dhe struktura e farmakovigjilencës në ditët që do të vijnë.
“Jemi të vendosur për të çliruar shërbimin shëndetësor nga çdo lloj percepsioni negativ”, ka sqaruar dje Vasili.
Këtë vit shëndetësia shqiptare po mendon seriozisht për të bërë disa hapa të mëdhenj. Njëri prej tyre është edhe eksporti i barnave për prodhuesit vendas. Kjo është një nga synimet dhe objektivat kryesorë për vitin 2010. Ndërkohë që strukturat shëndetësore janë duke menduar lehtësira, si dhe përmbushje të detyrimeve të kërkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për ndërmarrjen e objektivave të tillë.
FarmakovigjilencaSektori i farmakovigjilencës do të jetë në ngarkim të Qendrës së Kontrollit të Barnave. Konkretisht, QKKB-ja do të ketë nën varësi edhe këtë laborator, për të cilin bashkëpunimi do të jetë me strukturat e kësaj qendre që monitorojnë farmacitë, depot e të gjitha strukturat që tregtojnë dhe transportojnë barna në vendin tonë. Farmakovigjilenca është shkenca që studion përbërjen e barnave, ilaçeve, efektshmërinë e tyre.
Sipas projektit, qytetarët, pacientët apo edhe ata qytetarë të cilët nuk janë të kënaqur nga barnat dhe medikamentet në tregun tonë farmaceutik mund të bëjnë një ankesë pranë sektorit të farmakovigjilencës apo Qendrës së Kontrollit të Barnave.
Specialistët e kësaj zyre do të marrin parasysh kërkesat e tyre, do të analizojnë përbërjen e ilaçit, efektshmërinë dhe gjithçka tjetër për të dalë më pas në një përfundim për ilaçin, nëse është cilësor, nëse ka efekte anësore, apo nëse duhet të jetë pjesë e produkteve farmaceutike që hidhen në treg. Një tjetër event që pritet të futet në “axhendën” e 2010-s është shkëmbimi i informacionit mbi barnat e prodhuara sot në botë dhe aksesi në sektorin përkatës (drug dictionary), me qëllim verifikimin e barnave të falsifikuara, si dhe realizimi i hedhjes në treg të të gjitha barnave me fletudhëzuesin në shqip.
#