E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjenerali i SHBA: Homoseksualët holandezë, fajtorë për Srebrenicën

Kryeministri holandez, Jan Peter Balkende, ka sulmuar dje deklaratën e një gjenerali amerikan në pension, sipas të cilit shkaku i tragjedisë së Srebrenicës ishin ushtarët homoseksualë holandezë. Gjatë një seance dëgjimore të Kongresit Amerikan, në lidhje me mundësinë e lejimit të homoseksualëve që të marrin pjesë në ushtrinë amerikane, ish-komandanti i Forcës Supreme të NATO-s, John Sheehan, tha se, sipas tij, kishte një lidhje shumë të madhe mes faktit që në trupat holandeze që ndodheshin në luftën e Bosnjës kishte ushtarë homoseksualë dhe masakrave të shumta që u bënë në këtë vend, veçanërisht masakrës së Srebrenicës, ku u pushkatuan 8000 meshkuj. Prej kohësh trupat holandeze janë akuzuar për indiferentizëm në rastin e kësaj masakre, e cila është ndër më të rëndat e ndodhura në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore. Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar menjëherë Kryeministri holandez, që i ka quajtur ato “të gabuara dhe madje të tmerrshme”. Deklaratat e ish-gjeneralit të NATO-s kanë shkaktuar menjëherë reagime edhe nga grupe të ndryshme të të drejtave të njeriut dhe të homoseksualëve brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndër të tjera, gjenerali tha se ishte faji i europianëve që lejuan pjesëmarrjen e homoseksualëve në ushtri pas Luftës së Ftohtë. “Një vendim i tillë ka çuar në mangësi të shumta në luftime, siç ishte edhe rasti i holandezëve, të cilëve u ishte ngarkuar detyra që të mbronin Srebrenicën dhe jo të bënin sehir”. Sipas gjeneralit, batalioni i holandezëve ishte i pajisur shumë keq ushtarakisht, me një drejtim shumë të dobët dhe kur serbët erdhën për të bërë kasaphanën i kapën me zor ushtarët, i prangosën nëpër shtyllat e telefonave, nxorën myslimanët nga shtëpitë dhe i ekzekutuan. Më pas, gjenerali është pyetur në lidhje me pohimet e tij nga kryetari i seancës dëgjimore nëse e kishin pohuar në atë kohë një fakt të tillë edhe liderët holandezë, pra në lidhje me mungesën e efektshmërisë së trupave holandeze, për shkak të homoseksualëve. “Po, ata e bënë një gjë të tillë dhe e konsideronin një fakt të tillë si pjesë të problemit”, ka deklaruar gjenerali para panelit. Sipas tij, mendimi i liderëve holandezë të asaj kohe ishte se homoseksualët në njëfarë mënyre kishin sjellë një frymë liberalizimi në ushtri. Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes holandeze e ka hedhur poshtë këtë deklaratë, duke e cilësuar “një budallallëk” dhe duke shtuar se ushtarët holandezë kishin një bashkëpunim shumë të mirë dhe aktualisht kanë me ushtarët amerikanë në Afganistan. Në fakt, çështja e tragjedisë së Srebrenicës mbetet shumë e ndjeshme për holandezët, të cilët ndërmorën edhe një proces të gjatë gjyqësor në lidhje me mënyrën indiferente të trupave holandeze, që praktikisht nuk bënë asgjë përballë një krimi që po ndodhte para hundës së tyre.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›