E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pengmarrësi: Mora peng vajzën që të ikte policia

Romeo Leka pranon të flasë vetëm pasi i shkel syrin dhe e merr në pyetje një oficere Po të më jepnin një makinë, 19-vjeçaren do ta lija të lirë

Në një zyrë të mbushur me punonjës policie, pengmarrësi dhe grabitësi i djeshëm, i cili mbajti në ankth për dy orë gjithë kryeqytetin, nuk ka pranuar të thotë asnjë fjalë, derisa është hapur dera dhe brenda ka hyrë një oficere. Në ato momente, Romeo Leka është shtangur, pasi oficerja ishte simpatike dhe ai nuk ia ndante sytë. Ka mjaftuar që ajo t’i shkelë syrin, ta ftojë për të folur dhe i riu, me precedentë të mëparshëm penalë, ka rrëfyer gjithë historinë.

Bëhet fjalë për Romeo Lekën nga Lezha, 25-vjeçari, tashmë i famshëm për grabitje dhe pengmarrje jo vetëm në Shqipëri, por edhe Amerikë. Ka mjaftuar të tregojë se e gjithë kjo bëhet vetëm për para, për asgjë tjetër. “Nuk kam punuar prej kohësh, pavarësisht se nuk më mungon dëshira. Por, nuk ka punë dhe unë dua të jetoj, për këtë arsye grabita një bankë, por ju nuk më lejuat dhe u detyrova të marr një vajzë të re peng. Nuk kisha qëllim t’i bëj keq, doja vetëm të dukesha i fortë, që ju të më lejonit të largohesha. Po të më kishit dhënë një makinë, vajzën e re do ta kisha lënë të lirë”. Këto kanë qenë fjalët e tij në polici, vetëm tri orë pasi kishte nisur gjithë aventura e tij.

Në orën 12:30 të ditës së djeshme, ai ka hyrë në ambientet e “Hotel Rogner” në Tiranë dhe i është drejtuar punonjëses së një banke që ndodhej aty. Gjatë bisedës ka nxjerrë pistoletën dhe i ka kërkuar gjithë paratë që i ndodheshin. Duke marrë rreth 3.1 milionë lekë të reja, të gjitha prerje 500 dhe 1000 i ka vënë në një qese, që e ka futur në një çantë blu. Më pas ka dalë me shpejtësi nga hoteli, duke mos i hyrë ferrë në këmbë, por shumë shpejt është lajmëruar policia. Një patrullë ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe e ka parë të riun, që kanë lënë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke hyrë në rrugën “Abdyl Frashëri”, përbri Presidencës. Në ato momente, patrulla i është vënë pas, ndërkohë që nuk ka ndërhyrë, pasi ai ka nxjerrë një pistoletë që e mbante në dorë.
Nga ana tjetër, Romeo Leka ka filluar të kërcënojë njerëzit dhe ka kaluar kryqëzimin te “Libri Universitar”, por pak para se të mbërrijë në kryqëzimin tjetër, përballë i ka dalë një tjetër oficer policie. Në këtë kohë, kalimtarët janë tmerruar, ndërsa 25-vjeçari, me gjakftohtësi ka kapur një vajzë, e cila sapo kishte dalë nga banka. Vajzën e ka ulur përdhe dhe nga ana tjetër ka filluar t’i bërtasë policisë, me qëllim që të largohen.

Në ato momente, e gjithë zona është rrethuar dhe oficerët e policisë kanë filluar të negociojnë me pengmarrësin. Gjatë negocimit, e vetmja gjë që ka kërkuar ka qenë një makinë me marshe automatikë. Kjo nuk i është bërë e mundur nga policia, të cilët i kanë bërë thirrje herë pas here për dorëzim. Pasi kanë kaluar rreth 20 minuta, ai ka kërkuar dy pije “Red-Bull” nga policia, ndërkohë që është bërë edhe më agresiv. Pijet i kanë ardhur, ndërkohë që ka filluar të rrëzojë motorët që ndodheshin pranë tij. Gjithashtu, ka kërkuar të hyjë brenda pallatit të ri, por dera e jashtme ishte bllokuar dhe pavarësisht se e ka shkelmuar, nuk ka hyrë dot.

Gjatë gjithë kohës, vajza e re 19-vjeçare, e identifikuar me emrin Lori Hatellari, studente e Juridikut, vazhdonte të ishte peng i tij. Ajo nuk pushonte në asnjë moment së qari dhe gjendja e saj po përkeqësohej, ndërsa 25-vjeçari vazhdonte t’i thoshte “Gëzuar”, duke pirë pijen që ia kishte kërkuar policisë. Sa herë nuk bisedonte me policinë, ai bisedonte me vajzën e re dhe madje, mori paratë nga çanta dhe ia dha asaj. Pastaj paratë e tjera i gjuante me këmbë në drejtim të policisë, të cilëve u fliste ashpër dhe kërkonte të largoheshin.

Gjatë kësaj kohe të negocimit, në vendin e ngjarjes kishin mbërritur edhe forcat speciale RENEA, që ishin instaluar në zonë. Snajperët kishin zënë pika kyçe dhe çdo lëvizje të 25-vjeçarit e kishin nën kontroll. Kur ai ka parë se kishte mbetur i bllokuar, ka kapur për flokësh vajzën e re dhe është ngritur në këmbë, duke marrë rrugën sërish për andej nga kishte ardhur. Me njërën dorë mbante vajzën, ndërsa në dorën tjetër mbante një pistoletë të nikeluar. Forcat e policisë e kanë ndjekur duke ruajtur distancën, me qëllim që mos të acaronin situatën dhe duke ruajtur normat.
Kur ka mbërritur sërish përbri Presidencës, në aksion janë futur forcat e RENEA-s. Katër oficerë të përgatitur i janë afruar me maska dhe me armë, ndërkohë që dy të tjerë vazhdonin negocimin me të. I riu ka mbetur i shtangur, derisa i kanë hequr pistoletën nga dora, të cilën e mbante gjysmë ngritur, duke pasur edhe parandjenjën e eliminimit. Menjëherë pas neutralizimit nga RENEA, vajza është hequr mënjanë, ndërkohë që i riu, është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›