E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia Bashkiake nis aksionin për lirimin e trotuareve

TIRANE- Policia Bashkiake në bashkëpunim me strukturat përkatëse të kontroll territorit në Bashkinë e Tiranës, ka vijuar punën për pastrimin e trotuareve në rrugët e kryeqytetit.

Në 48 orët e para të ndërhyrjes që lidhen me lirimin e trotuareve, është bërë e mundur largimi i mbi 500 vazove prej betoni dhe plastike që bllokonin kalimin e qytetarëve, janë hequr dhjetëra metra linearë kangjella metalike që kishin rrethuar në mënyrë të paligjshme pronën e përbashkët si dhe janë liruar dhjetëra vendparkime, së bashku me tabelat e reklamimit të vendosura në trotuar.

Punonjësit e kontrollit të territorit kanë vendosur edhe disa gjoba financiare ndaj subjekteve që kishin bërë ndërhyrje në infrastrukturë. Në fazat e ditëve në vijim nga ana e policisë bashkiake do të zbatohet plani për lirimin e trotuareve nga tavolinat e bareve dhe shitësve ambulantë.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›