E Hënë, 2 Nëntor 2026

Policia Rrugore e Tiranës kalon në filtër 200 mjete të tonazhit të rëndë, gjobiten 93 shoferë

200 mjete të tonazhit të rëndë (betoniere), autobusë dhe furgona në Tiranë, kalojnë në filtrin e Policisë Rrugore të kryeqytetit.

Policia Rrugore e Tiranës bëri të ditur se në zbatim të planit të posaçëm të masave për kontrollin dhe verifikimin e mjeteve të tonazhit të rëndë dhe atyre të transportit publik, me objektivat madhorë përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve, gjatë 24 orëve të fundit janë kontrolluar dokumentacionet e rreth 200 mjeteve të tonazhit të rëndë (betoniere), autobusëve dhe furgonave

Sipas Policisë Rrugore të Tiranës, nga ky kontroll 93 drejtues të këtyre mjeteve u ndëshkuan me masa administrative, për shkelje të ndryshme.

“Në zbatim të planit të posaçëm të masave, të hartuar nga Policia Rrugore e Tiranës, për kontrollin dhe verifikimin e mjeteve të tonazhit të rëndë dhe atyre të transportit publik, me objektivat madhorë përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve, gjatë 24 orëve të fundit: janë kontrolluar dokumentacionet e rreth 200 mjeteve të tonazhit të rëndë (betoniere), autobusëve dhe furgonave. Prej tyre, 93 mjete të tonazhit të rëndë dhe mjete për transport të përzier kanë rezultuar me parregullsi dhe drejtuesit e tyre janë ndëshkuar administrativisht”, njofton policia.

Konkretisht:

78 masa janë vënë për mjetet e tonazhit të rëndë, për qarkullim jashtë orarit të përcaktuar;

5 masa janë vënë për qarkullim pa certifikatë transporti me vete;

5 masa janë vënë për qarkullim pa certifikatën e kolaudimit;

4 masa janë vënë për qarkullim me të meta teknike;

1 masë është vënë për qarkullim me targa të palexueshme.

“Kontrollet dhe verifikimet vijojnë. Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.”, njofton policia.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›