Policia, anketa me qytetarët për cilësinë e shërbimit
Policia e Durrësit hap dyert dhe anketon qytetarët mbi perceptimin që kanë për shërbimin policor. Rezultatet e anketimit do të përdoren për të kërkuar nga punonjësit policorë përmirësim të shërbimeve që ofrojnë dhe cilësi komunikimi e ndërhyrjeje. Në kuadër të 26 tetorit, "Ditës së të rënëve në krye të detyrës" për të përkujtuar dhe vlerësuar aktin sublim të punonjësve të policisë, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës organizoi javën e vizitorëve. Përgjatë tri ditëve janë zhvilluar takime nga drejtues të institucionit me familjarë të ish-punonjësve të policisë të rënë në detyrë, veteranë policie, nxënës dhe mësues të disa shkollave 9-vjeçare e të mesme të qytetit. "Garantimi i një mjedisi të sigurt për komunitetin nëpërmjet policimit me standarde më të mira të performancës, krijimit të një kulture bashkëkohore menaxhimi dhe të mbështetur me infrastrukturën më të përparuar është pjesë e këtij misioni, duke synuar përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe duke e bërë Durrësin një vend të dëshirueshëm për të punuar e jetuar", deklaroi zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë. Mbrojtja e rendit dhe sigurisë publike, parandalimi dhe lufta kundër kriminalitetit, respektimi i lirive dhe të drejtave të qytetarëve, menaxhimi i integruar i kufijve dhe siguria rrugore janë diskutuar gjerësisht me të rinjtë, ndërsa në fund të takimeve u realizua një anketim mbi perceptimin e publikut për punën dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara nga Policia e Shtetit.
Va.Qy.
Va.Qy.