E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenton të vrasë adoleshentin për një shikim shtrembër

Është parandaluar në momentet më kritike tentativa e një 25- vjeçari nga qyteti i Memaliajit për të vrarë me thikë një 17-vjeçar. Ka qenë ora 19.00 e së martës kur Drilon Shehaj, 25 vjeç nga Memaliaj, ka tentuar të vrasë me thikë bashkëqytetarin e tij shtetasin D.K. 17 vjeç. Gjithçka ka lindur si një konflikt i trashëguar ditë më parë, mes dy të rinjve, por që do të kulmonte mbrëmjen e së martës me një ngjarje që do të kishte pasoja. Burimet zyrtare kanë bërë të ditur se arrestimi në flagrancë ka ndodhur sapo është lajmëruar patrulla policore për këtë ngjarje me anë të një telefonate të mbërritur në sallën operative të Komisariatit të Policisë Tepelenë. Patrulla e përgjithshme e Komisariatit të Policisë Tepelenë është ndodhur në afërsi të vendit, ku u tentua të vritej një i ri në brendësi të një salle interneti, duke sjellë kështu ndërhyrjen e menjëhershme të tyre, si edhe të dy qytetarëve të ndodhur në këtë ambient. Ndërhyrja në kohë ka shpëtuar nga vdekja e sigurt të riun nga Memaliaj, i cili ishte vënë në tagër për t‘u vrarë nga Shehaj, që sipas moshatarëve të tij kishte shfaqur kohët e fundit shenja të qarta agresiviteti dhe çekuilibrimi mendor. Agresori është izoluar menjëherë në ambientet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, ku dhe u bë arrestimi i tij në flagrancë. Sherri ka nisur me ngacmime tipike për "gangot" e viteve ‘80: "Përse më shikon ashtu?", nga ana e agresorit, i cili sipas shokëve të 17-vjeçarit D.K., paraqiste shenja tensioni ditët e fundit. Shehaj herë pas here ka shfaqur shenja të tronditjes psikike dhe në momentin kur ka tentuar të vrasë me thikë shtetasin e lartpërmendur ka qenë në gjendje depresive. Policia, nga ana e saj, ka kryer të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, duke sekuestruar thikën në cilësinë e provës materiale, si dhe ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Drilon Shehaj, për veprat penale të vrasjes së mbetur në tentativë, si edhe prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta. Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.

En.Se.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›