E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia apel protestuesve: Distancohuni nga personat e maskuar, çdo veprim i kundërligjshëm mbart përgjegjësi penale

TIRANË, 14 tetor/ATSH/ Policia e Shtetit u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve në tubim të ruajnë qetësinë, të shmangin çdo akt dhune dhe të distancohen nga personat e maskuar që po sulmojnë punonjësit e Policisë dhe po dëmtojnë pronën publike e private. Në një njoftim për shtyp, Policia e Shtetit theksoi se “e drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, por dhuna ndaj punonjësve të Policisë, qytetarëve dhe institucioneve është e papranueshme dhe e dënueshme me ligj”. Policia e Shtetit thotë se është në krye të detyrës për të garantuar sigurinë e çdo qytetari, ushtrimin e të drejtës së tubimit paqësor, mbrojtjen e jetës, pronës dhe institucioneve. Gjithashtu Policia apeloi për ndërprerjen e menjëhershme të akteve të dhunës duke theksuar se çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të mbajë përgjegjësi penale përpara ligjit. “E drejta për të protestuar mbrohet. Dhuna nuk tolerohet”, thuhet në apel. Policia e Shtetit u shpreh se do të vijojë të veprojë me profesionalizëm, përmbajtje dhe vendosmëri, në përputhje me ligjin, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. /k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›