Policia bashkëpunon me krimin e organizuar

Ina Rama dhe Hysni Burgaj / Foto LSA
Lindita Çela
Policia e Shtetit nuk lufton krimin e organizuar që është ulur këmbëkryq në Shqipëri. Ka shumë raste që hetimet ndaj grupeve kriminale në vend, jo vetëm që janë zvarritur, por ekzistojnë dyshime të forta për dekonspirimin e operacioneve nga forcat e policisë. Akuza e rëndë është ngritur nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila nëpërmjet letërkëmbimeve me drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit ka shprehur shqetësimin për rezultatet e dobëta të luftës kundër krimit të organizuar si dhe komprometimin e strukturave të policisë. Megjithëse kryeprokurorja Ina Rama kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të drejtuesve të Ministrisë së Brendshme, nga letër-këmbimet që disponon gazeta Shekulli, askush nuk e ka vënë ujin në zjarr për të marrë masa në përmirësimin e situatës, ndërkohë që shifrat e kriminalitetit në vend rriten frikshëm.
Raporti
Policia e Shtetit duket se e ka humbur davanë ndaj luftës së krimit të organizuar. E kjo për shkak të kompromentimit të strukturave të saj. Ky është konkluzioni që del nga letërkëmbimi i kryeprokurores Ina Rama me drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe Ministrin e Brendshëm. Në këto raporte, për vitin 2010 dhe 2011 kryeprokurorja ngre shqetësimin për rezultatet qëllimisht të dobëta në luftën kundër krimit të organizuar. Sipas kryeprokurores moseficença e strukturave të policisë së shtetit ka qenë e qëllimshme dhe nuk ka lidhje me mungesën e strukturave apo dhe mjeteve logjistike. Fillimisht shqetësimi i kryeprokurores është ngritur në korrik të vitit 2010, por e njëjta problematike referohet edhe dy muaj më parë, kjo në bazë të dokumenteve që i disponon gazeta Shekulli. Nga ana jonë janë krijuar të gjitha hapësirat që lejon ligji procedural, por hetimet kanë dështuar, janë zvarritur ose në raste më ekstreme kanë lindur dyshimet për dekonspirim nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit. Jemi të mendimit se ka një mungesë angazhimi nga ana e strukturave të policisë, e cila nuk lidhet me mungesën e njerëzve apo mjeteve pasi në vitet e kaluara me të njëjtat struktura kemi arritur rezultate shumë të larta-thuhet në raport. Por, përveç konstatimit të mos funksionimit të strukturave të policisë, kryeprokurorja hedh dyshime për mos hetim të qëllimshëm të krimit të organizuar në vend nga Policia e Shtetit. Sipas saj, subjektet ndaj të cilëve janë regjistruar procedime penale u përkasin niveleve inferiore të krimit të organizuar, me aktivitete kriminale dhe potencial financiar e njerëzor mjaft të kufizuar. Ky fenomen lidhjet me një punë të dobët të identifikimit të subjekteve kriminale të rëndësishme në vend. Për pasojë disa prej hetimeve të nisura rezultatet mungojnë dhe nuk ka asnjë perspektivë për të ardhmen-thuhet në raporti i Prokurorisë së Përgjithshme. Duke përmendur dhe rastet më flagrantë të dekonspirimit të operacioneve të policisë si dhe referimin e ngjarjeve ordinere si krime të grupeve të organizuara Ina Rama i ka kërkuar ministrit të Brendshëm, aso kohe Lulzim Basha, marrjen e masave urgjente në ndryshimi e situatës. Duke qenë se me gjithë paraqitjen nga ana jonë të këtyre problematikave strukturave drejtuese të Policisë së Shtetit, nuk ka pasur ndonjë ndryshim të ndjeshëm vlerësuam tju drejtohemi Juve për këtë informacion të detajuar për të nxitur gjetjen e mekanizmave të duhur të bashkëpunimit ndërinstitucional në nivelet më të larta,- thuhet në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme.
Rastet e dekonspirimit
Në procedimin penal nr 13 të vitit 2010 qw ndiqet për trafik narkotikësh janë aktivizuar në terren efektivat e seksionit të drogës në Drejtorinë e Qarkut Korçë. Aktivizimi i tyre ka bërë që ata të njihen nga njëri prej bashkëpunëtorëve në trafik, edhe ky punonjës policie, i cili i ka këshilluar të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë të ndërrojnë numrat e telefonit duke dështuar operacionin.
Zhduket arma e kapur në kontroll
Në procedimin penal nr 52 të vitit 2010 që ndiqet për trafik armësh janë aktivizuar në terren efektiva të policisë së qarkut të Tiranës për të kryer një kontroll pas një shitblerje arme. Rezultati i këtij kontrolli ka mbetur i dyshimtë pasi është raportuar se është gjetur dhe sekuestruar arma e më pas është raportuar se nga kontrolli nuk është gjetur armë.
Shefi i antidrogës, korrier i trafikantëve
Është evidentuar përfshirja e efektivave të policisë në aktivitete të paligjshme çka vështirëson suksesin e operacioneve. Gjatë hetimeve të procedimit penal Nr 13 është dyshuar shefi i sektorit të drogës, i cili ka bashkëpunuar për të transportuar lëndën narkotike. Efektivat e policisë kanë luajtur rolin e informatorit për subjektin nën hetim.
Nga trafik armësh në armëmbajtje pa leje
Në procedimin penal Nr 20 të vitit 2010 nga sektori i trafiqeve të paligjshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë është referuar material për trafik armësh në një kohë kur efektivat e policisë së Drejtorisë së Korçës për njërin nga subjektet realizojnë kapjen në flagrancë për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve të municionit luftarak.
Policia e implikuar në trafikun e lëndëve narkotike
Njoftimet për lëvizje të shefave të komisariateve, të oficerëve të krimeve e deri tek drejtues së qarqeve të Policisë së Shtetit janë të herë pas hershme. Të gjitha në emër të një performance më të mirë të strukturave të luftës ndaj krimit të organizuar. Por prej 7 vitesh që Partia Demokratike është në pushtet drejtuesit kryesor të Policisë së Shtetit janë të pazëvendësueshëm me gjithë raportet kompromentuese të publikuara dhe rritjes së kriminalitetit në vend në përmasa të frikshme. Megjithëse Prokuroria e Përgjithshme, Ina Rama kërkon menjëherë ndërhyrjen në strukturat e të Policisë së Shtetit kambanat e alarmit bien në vesh të shurdhët. Dekonspirimi i operacioneve të policisë është akuza më e lehtë e Prokurorisë së Përgjithshme për Policinë e Shtetit. Në raportin që mban firmën e Ina Ramës përmenden dhjetëra raste të implikimi të efektivave të policisë në grupet e organizuara kriminale si dhe dështimin e një sërë hetimesh për shkak të implikimit të niveleve më të larta të policisë. Për një periudhë të shkurtët kohore, 6 muaj, prokuroria referon mbi 12 raste që flasin për dekonspirimin e operacioneve si dhe për degjenerimin e hetimeve të krimit të organizuar. Kështu ka ndodhur mbi tre raste që hetimet për krim të organizuar janë pushuar për shkak të mos angazhimit të strukturave të policisë. Këtë fat ka pasur procedimi penal me Nr 4 i vitit 2009 , procedimi penal Nr 43 i vitit 2010 si dhe procedimi Nr 15 i po këtij viti. Hetimet për këto procedime penale të referuara si grup i organizuar kriminal për prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike janë ndërprerë dhe prokuroria ende nuk disponon relacionin për arsyet e pushimit të këtyre çështjeve. Por prokurorët E. Nakuçi e E . Beçi ngrenë dyshime për mosndjekje të qëllimshme të hetimeve nga strukturat e policisë. Por rasti më flagrant duket se është lejimit të një sasie të konsiderueshme të lëndës narkotike në Kosovë, i konstatuar në procedimin penal Nr 40 ku sasia e drogës është sekuestruar vetëm falë bashkëpunimit me strukturat kosovare. Kurse hetimi për tre linja të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike është degjeneruar duke u referuar si procedim penal si trafikim lidokaine, (perzirës). Po kështu dhe procedimi Nr 20 për trafik armësh ka degjeneruar