E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si e gjetëm Ardianin të vetëvarur tre orë pas mesazhit

Share

Mediat kanë zbardhur sot mesazhin e fundit që publicisti Ardian Klosi i kishte dërguar të shoqes në gjermanisht. Kaluam shumë bukur. Unë nuk mund të vazhdoj më. Kur të kthehesh, eja pa vajzën. Është bekim të ikësh i qetë nga kjo botë, shkruante ai për të shoqen, Jutta Benzenberg. Ndërkohë fqinja e tij, Shpresa, tregon për Panorama se si e gjetën trupin e Klosit pas tre orësh kërkim.

Kur e mësuat atë që ndodhi me Ardianin?

E mësova që të enjten rreth orës 21:00. Më mori në telefon e shoqja, e cila po qante dhe ishte shumë e shqetësuar. Të lutem, nxito të shkosh në shtëpi. Shiko për Ardianin se më ka sjellë një mesazh të tmerrshëm. Kam frikë mos i ka ndodhur ndonjë gjë e keqe, më tha Jutta në telefon.

Nuk ndodheshin në shtëpi gruaja dhe vajzat e Klosit?

Jo, asnjëra. Vajza e madhe, Ana, është me studime në Gjermani dhe do kthehej sot. Ndërsa bashkëshortja, Jutta, kishte ikur disa minuta para se të më merrte në telefon, që të merrte vajzën e vogël, Katerinën, tek Gjuhët e Huaja, sepse ndiqte një kurse anglishteje.

Si vepruat pas telefonatës?

U shqetësova shumë bashkë me tim shoq. U shqetësuam sepse ajo po qante dhe ishte mjaft e tronditur nga mesazhi që ai kishte dërguar dhe që më thoshte se ishte i tmerrshëm. Duke ditur edhe rastet e mëparshme, u trembëm dhe dolëm menjëherë nga shtëpia që të shkonim tek shtëpia e tij.

Shtëpia e Ardian Klosit ishte e hapur?

Po, e hapur, dhe unë bashkë me tim shoq nisëm të thërrisnim e ta kërkonim në shtëpi. Pastaj erdhi edhe Jutta me vajzën dhe motrën e Ardianit.

Kur arritët ta gjenit?

Mund të them që kemi kërkuar më shumë se dy orë e gjysmë. Jutta më lajmëroi rreth orës 21:00, siç ju thashë, dhe që atëherë filluam të kërkojmë dhe ti thërrasim.

Po pse nuk e gjenit dot?

Nuk kemi lënë asnjë dhomë pa kërkuar. Pastaj dolëm edhe jashtë. Më pas lajmëruam policinë, sepse nuk po arrinim të zbulonim asgjë. Madje erdhi edhe policia dhe nuk po e gjenin dot.

Si arritët ta zbulonit?

Ai ishte në një depo të vogël që ata kanë në shtëpi. Jutta kishte hyrë disa herë aty dhe nuk e gjente dot, madje as policia. Pasi ai ishte varur në traun që ndodhet pas derës. Dera hapej dhe ne nuk e shihnim dot, sepse ai ishte pas saj. Por herën tjetër që Jutta u fut brenda, ndezi dritën dhe në një moment te xhami i dritares pa që po pasqyrohej Ardiani dhe ajo bërtiti: Mos, Ardiani qenka në tavan. Filluam ta zbrisnim prej aty, por ishte vonë. Për pak minuta bëhej mesnatë.

Nuk kishte asnjë shenjë jete?

Jo, ai kishte ikur. Madje Jutta fajësonte veten që u vonua kaq shumë, sepse mendonte se mund të kishte shpëtuar. Por edhe policët që ishin aty thanë se gjithçka zgjat vetëm katër minuta.

Po vajza e vogël?

Vajza u tmerrua. Ajo është vetëm 16 vjeç. Ndërsa e madhja, nuk e di çfarë tu them. Ajo vjen sot dhe ende nuk i kanë treguar asgjë.

PANORAMA

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›