Djali i Enver Hoxhës, Iliri në prokurori, bashkë me Teutën

Ilir dhe Nexhmije Hoxha te varri i Enverit
Flamur Vezaj
Prokuroria merr në pyetje Ilir dhe Teuta Hoxhën, të njohur ndryshe si djali i madh i ish-diktatorit Enver Hoxha, dhe bashkëshortja e tij. Sipas prokurorisë, thirrja dhe marrja e tyre në pyetje, është bërë për llogari të kallëzimit penal të bërë më 29 shkurt 2012 nga familja Hoxha. Mësohet se familja Hoxha, pretendon se nga Arkivi i Shtetit, i janë vjedhur dorëshkrimet origjinale si dhe ditarët personalë të ish-diktatorit Enver Hoxha. Përveç këtyre, ata pretendojnë se nga arkivi është marrë edhe një pjesë e filmimeve (video) nga jeta e tyre private, që tashmë është transmetuar në media të ndryshme.
Prokuroria, për llogari të këtij kallëzimi, ka kryer një sërë veprimesh hetimore, ku mes tyre është edhe marrja e dëshmisë së kallëzuesve Ilir dhe Teuta Hoxha, – thuhet nga të dhënat e prokurorisë. Mësohet se çifti Hoxha, i ka qëndruar besnik kallëzimit të bërë në shkurt të 2012. Vetë djali i Enver Hoxhës dhe bashkëshortja e tij, kanë pretenduar se familja e tyre pas vitit 1980, i ka dorëzuar në Arkivin e Shtetit të gjitha dorëshkrimet dhe ditarët personal të tij. Këto dorëshkrime origjinale, sipas tyre, nuk gjenden në arkiv. Të gjitha dorëshkrimet origjinale janë zhdukur nga Arkivi i Shtetit. Dyshojmë se ata janë vjedhur për interesa të caktuara. Ne kërkojmë nga organi i akuzës, të zbulohet kjo vjedhje.
Me përfundimin e procesit penal, ku besojmë se do të gjendet fajtori, familja do i drejtohet Gjykatës së Tiranë me padi civile, duke kërkuar dëmshpërblim për transmetimin e pamjeve filmike të festave familjare pa lejen tonë, – mësohet se kanë thënë ndër të tjera Ilir dhe Teuta Hoxha para prokurorit Adriano Dyrmishi. Sipas akuzës, çifti Hoxha pretendojë se kanë qenë prezentë në momentin e dorëzimit të këtyre sendeve personale të ish-diktatorit Hoxha në Arkivin e Shtetit.
Por, sipas prokurorisë, vetë familja Hoxha nuk ka dorëzuar ndonjë procesverbal të dorëzimit të sendeve që është mbajtur nga arkivi në momentin e dorëzimit të këtyre sendeve. Është kërkuar nga familja Hoxha, njëherazi kallëzuesit, që të sjellin një kopje të procesverbalit, ku janë renditur sendet e dorëzuara në Arkivin e Shtetit, – thuhet nga prokuroria, të cilët konfirmuan se deri më tani, një shkresë e tillë mungon.
Nga ana tjetër, nga verifikimi i kryer në Arkivin e Shtetit nuk rezulton në ndonjë libër i shënuar dorëzimi i këtyre dorëshkrimeve origjinale të ish-diktatorit Hoxha. Nga ana tjetër, është pyetur pak ditë më parë edhe drejtoresha e Arkivit të Shtetit, znj.Nevila Nika, e cila ndër të tjera ka kundërshtuar pretendimet e familjes Hoxha, duke hedhur dyshime se dorëshkrimet origjinale ndodhen në shtëpinë ku qëndron znj.Nexhmije Hoxha, e veja e ish-diktatorit Hoxha.