Policia bashkiake i shemb shtëpinë kandidatit të opozitës
Policia ndërtimore e Bashkisë së Tiranës ka kryer shembjen e godinës, pronë e kandidatit për deputet të partisë Ardhmëria shqiptare, Arben Muçaj.
Sipas kandidatit të opozitës, punimet për rikonstruksionin e banesës së tij të vjetër, e ndërtuar rreth viteve 60, kanë nisur në muajin tetor, por i kishte ndërprerë punimet për shkak se ishte në pritje të marrjes së një leje për rikonstruktim nga Bashkia. Ai sqaron se vetëm një ditë pasi kishte vënë posterat e partisë së tij tek dera e pronës së vet, pa u sinjalizuar më parë, Bashkia është paraqitur për tia prishur atë.
Kam pasur një objekt të vjetër me certifikatë të rregullt, me avlli, me portë. Ka qenë e pabanueshme. Sa të bëhej ligji i ri, bëra disa kolona, më thanë ta pezulloj dhe e pezullova. Nuk kam bërë asnjë veprim tjetër. Erdhën makineri të mëdha, pa njoftuar çfarë problemi ka. Ka qenë objekt ekzistues me certifikatë të rregullt. Jam këtu për të denoncuar aktin vandal të policisë bashkiake me në krye Florenc Hoxhën. Kam aplikuar në Bashki për tu pajisur me një leje për rikontruksionin e këtij objekti. Më kanë thënë që jam në pritje. Objekti është pezulluar në shkurt. Ajo që unë kam bërë është vendosja e posterave te dera e shtëpisë, tregon Muçaj për gazetën Shekulli.
Ai thekson se sulmi është politik.
Kanë parë që ka dalë numri 36 kudo në sondazhet që kanë bërë partitë. As nuk kemi ngacmuar njeri, kemi punuar. Është thjesht politike, sepse nuk ka shpjegim tjetër, nënvizon ai./A.XH