E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia bashkiake vijon aksionin për hapjen e hapësirave publike

Policia bashkiake në Tiranë ka vijuar edhe sot aksionin për hapjen e hapësirave publike. Paraditen e sotme bashkiakët kanë ndërhyrë në një parking privat në parkun “Rinia” në kryeqytet duke prishur rrethimin me pemë dhe gjelbërim të këtij parkingu. Gjatë aksionit që drejtohej nga vetë kreu i policisë bashkiake, Florenc Hoxha ka pasur edhe kundërtime nga ana e pronarëve të parkimit.

Ata nuk kanë lejuar prishjen e pemëve dhe gjelbërimit, ndërkohë që forcat policore me anë të një fadrome kanë vijuar aksionin.
“Ne po i kthejmë qytetarëve një hapësirë të gjelbër që në mënyrë të paligjshme ishte zaptuar. Po zbatojmë ligjin, kjo pjesë që kishte përcaktimin për lulishte ëhstë bërë në mënyrë të paligjshme parking”- ka theksuar Hoxha.
Ai garantoi se kështu do të veprohet në të gjithë Tiranën. “Nesër do të bëjmë aksion pas Pallatit të Kulturës, e cila po njësoj është kthyer në parking”- tha ai.
Ndërkohë sa për kundërshtinë e pronarëve të parkimit, kreu i bashkiakes deklaroi se do të bëhet kallëzim penale për pengim për shkak të detyrës.
Në shumë rrugë të kryeqytetit, një pjesë e mirë e akseve zihen nga kone dhe hekura, nga bizneset ngjitur dhe kjo ka shkaktuar rritje të problemit të trafikut në Tiranë, për shkak të pamundësisë për të parkuar. Në pjesën më të madhe të rasteve, rezulton se subjektet që zënë hapësirat, nuk paguajnë asnjë taksë bashkiake dhe në rastet kur ata paguajnë taksohen për një vendparkimi, ndërkohë që në rrugë zënë deri në 6 ose 7 vende. Sipas bashkiakëve aksioni do të vazhdojë deri në çlirimin e këtyre hapësirave, ose në shfrytëzimin e tyre konform ligjeve në fuqi. Ky rregullim do të shërbejë për qytetarët, pasi do të krijojë më shumë mundësi parkimi për ata që qarkullojnë me makinë, duke ndikuar në lehtësimin e trafikut në Tiranë.
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›