E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia bllokon 14 kamionë me krom nga Bulqiza. Paditen tek Tatimet dhe në Prokurori

Share

Drejtoria e Policisë e Qarkut të Dibrës ka bllokuar 14 kamionë me krom, që sipas saj nuk ishte i regjistruar në fatura të rregullta tatimore. Sipas një njoftimi për shtyp nga zëdhënësi i Drejtorisë së policisë së Qarkut Dibër, Paulin Çera, “më datë 16.04.2012 rreth orës 00.20 specialistët e Sektorit Kundër Krimit Financiar në bashkëpunim më forcat e Policisë së Komisariatit Bulqizë e Mat, si dhe në komunikim të vazhdueshëm me Prokuror të rretheve Dibër e Mat, kanë finalizuar me sukses operacionin për bllokimin e disa mjeteve që transportonin mineral kromi me fatura të falsifikuara. Më konkretisht, gjatë orëve të mëngjesit, strukturat e Policisë kanë arritur që të bllokojnë 14 kamion Trajler të cilët transportonin mineral kromi të shoqëruar me fatura të falsifikuara. Këto kamionë transportonin mineral kromi për llogari të subjekteve të ndryshme që nxjerrin dhe tregtojnë këtë mineral. Nga 14 kamionët e bllokuar, 8 prej tyre i përkasin subjektit KEVGER sh.p.k me administratore Enkelejda Hysenbelliu, 4 kamionë i përkasin subjektit DERVISHI sh.p.k me administrator Ndriçim Dervishi dhe 2 kamionë i përkasin subjektit GERI-TREVI sh.p.k me administrator Agim Cuku.
Nga verifikimet e deritanishme rezulton se automjetet kanë në faturat e shoqërimit të deklaruara përkatësisht gjysmën e mallit nga 24 deri në 30 ton. Në fakt ngarkesat e kamionëve variojnë nga 40 deri në 62 ton. Në total 14 kamionët e bllokuar nuk kanë deklaruar në fatura rreth 350 ton krom.
Po ashtu, nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Dibër po bashkëpunohet më Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, me qellim evidentimin e disa kamionëve të cilët dyshohet se po transportojnë mineral kromi, me fatura të falsifikuara ne drejtim të portit të Durrësit, të cilët kanë kaluar juridiksionin te Qarkut Dibër.
Për sa i përket këtij fenomeni të veprimtarisë së paligjshme janë njoftuar agjencitë ligjzbatuese si Drejtoria e Tatimeve, Njësia rajonale e Policisë Rrugore etj për të kryer veprimet në lidhje me shkeljet ligjore.
Subjektet e mësipërme po i nënshtrohen hetimit në lidhje me veprimtarinë e paligjshme dhe materialet procedurale do ti referohen Prokurorive Rretheve Gjyqësore Dibër e Mat.
Sjellim gjithashtu në vëmendje të gjithë opinionit publik, se nga ushtrimi i kësaj veprimtarie dhe transportimi i këtij minerali me ngarkesa mbi dyfishin e kapacitetit, ka sjellë si pasojë që në pjesë të caktuara të aksit rrugorë Bulqizë-Milot të ketë edhe dëmtime të plota e të pjesshme dukë u bërë edhe burim aksidentesh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›