Policia bllokon dy gomone në Karaburun
VLORË- Policia kufitare e Vlorës bllokoi sot dy gomone pa motorë, gjatë një aksioni për verifikimin e dokumentacionit të mjeteve lundruese.
Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Kufirit dhe Migracionit për Qarkun e Vlorës, Rezart Velmishi, bëri të ditur për shtypin se dy gomonet u bllokuan në bregdetin e Karaburunit dhe në atë të Zvërnecit, gjatë veprimeve operacionale ku u angazhuan 25 forca dhe katër mjete, mes të cilave dy motovedeta dhe dy gomone.
Gjatë kontrollit, rezultoi se dokumentacioni shoqërues i tyre mungonte, gjë që e detyroi policinë të aplikonte masën e bllokimit dhe sekuestrimit. Veprimet e policisë u shtrinë në një hapësirë të gjerë nga grykëderdhja e lumit Vjosë deri në Dhërmi, ku u konstatua lëvizja e mjeteve të ndryshme lundruese. Gjatë këtij operacioni u gjobitën me nga 10 mijë lekë edhe tre shtetas italianë, të cilët kishin hyrë brenda hapësirës detare shqiptare, pa respektuar rregullat përkatëse, ku përfshihet edhe njoftimi i autoriteteve portuale dhe kapitenerisë. Ky operacion i policisë, pason atë të një muaji më parë, kur u bllokua një mjet lundrues dhe u gjobitën disa shtetas, që nuk respektonin rregullat e daljes në det me anijet e tyre të peshkimit dhe motorët e ujit. (atsh)